Ish-Presidenti Bujar Nishani u shpreh këtë të mërkurë se Edi Rama nuk ka parë asnjë të keqe nga Lulzim Basha. Ai renditi arsyet se pse kryeministri është komod me Bashën në krye të opozitës. Në këtë mënyrë, Nishani mohoi që Rama të jetë investuar për të hequr Lulzim Bashën nga kreu i PD-së, ndryshe nga ç’pretendon ky i fundit.
“Sipas tij Edi Rama po investohet fort që ta hequr Lulzim Bashën nga kreu i Partisë Demokratike. Fatmirësisht nuk e realizoi dot dëshirën e tij. Pas kësaj akuze kam të drejtë të bëj një kundër pyetje për Lulzim Bashën dhe ata që trullosen nga akuzat e Bashës.
Kundërpyetja ime është kjo, pse Edi Rama nuk e do Lulzim Bashën në krye të PD? Çfarë të këqijash ka parë Edi Rama nga Lulzim Basha si kryetar i PD? A ishte Lulzim Basha që ia fali reformën territoriale Edi Ramës? Po. A ishte Basha që ia fali zgjedhjet e 2017 me marrëveshjen e famshme të bashkëqeverisjes? Po. A ia fali Basha parlamentin me 100% vota në favor të Edi Ramës? Po. A ia fali Basha bashkitë e vendit pa garë? Po. A po e konfirmon masakrën që bëri më 25 Prill duke shkuar në parlament dhe duke njohur institucionet e dala nga masakra e Edi Ramës? Po. Pra Edi Rama nuk ka parë asnjë të keqe nga Lulzim Basha që ta heqë. Edi Rama është aty komod sa kohë që Lulzim Basha do të jetë atje jo komod, se nuk do të jetë komod Lulzim Basha për sa kohë demokratët do të vazhdojnë të vuajnë dhe më keq nga një pushtet i cili do të jetë më i korruptuar, më i dhunshëm dhe më abuzues”, tha Nishani.