Nevoja për emetimin e një prerje të kartëmonedhës me vlerë 10 mijë lekë, më e madhja që pritet të futet në qarkullim prej datës 30 Qershor ishte një diktim i zhvillimeve ekonomike të vendit dhe rritjes së inflacionit në vite.
Në një intervistë për Televizionin Klan, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, thotë se prerja e re vjen 1 dekadë e gjysmë pas hedhjes në treg të kartëmonedhës 5 mijë lekë, e cila daton në vitin 1996.
Vlera 10 mijë lekë i shërben qytetarëve me paga më të larta, strukturës së çmimeve që kanë ndryshuar, por dhe sistemit bankar për lehtësitë që do të ofrojë kjo prerje në qarkullimin e parave.
“Që prej hedhjes në qarkullim të monedhës 5 mijë lekë kanë ndryshuar shumë niveli i inflacionit, çmimet janë rritur, pagat janë rritur dhe ekonomia është rritur. Për qytetarët do të jetë më e lehtë mbajtja dhe përdorimi i kartëmonedhës 10 mijë lekë, por lehtësi do të ketë dhe për sistemin bankar dhe vetë ne si Bankë Qendrore për të menaxhuar depozitat e parasë dhe hedhjen në qarkullim të parave.”
Kreu i Bankës Qendrore thotë se hedhja në qarkullim e kartëmonedhave të reja me vlerë 1 mijë dhe 10 mijë lekë nuk do të thotë zhdukje automatikisht e lekëve më të vjetra. Vetë Banka do të tërheqë gradualisht nga tregu kartëmonedhat e vjetra.
“Është e rëndësishme që qytetarët të dinë se hedhja në qarkullim e dy prerjeve të kartëmonedhave të reja nuk do të thotë se do të qarkullojnë vetëm ato. Në treg do të jetë dhe prerja e vjetër, ndërsa ne do ta tërheqim gradualisht nga tregu.”
Investimi në seri të reja kartëmonedhash ndihmon në mbrojtjen e parasë ndaj falsifikimit, ndërsa guvernatori Sejko thekson se edhe pse fokusi mbetet në rritjen e përdorimit të shërbimeve bankare digjitale, nevoja për para fizike do të mbetet për një kohë të gjatë.
“Prerjet e reja kanë elementë shtesë sigurie të cilat e bëjnë paranë më të mbrojtur. Nevojat për paranë fizike do të mbeten për një kohë të gjatë, edhe pse ne si Bankë Qendrore kemi në fokus rritjen e përfshirjes financiare të qytetarëve dhe bizneseve, kjo nuk do të thotë që të lemë pas dore një tjetër aspekt të rëndësishëm.”
Në proces prodhimi janë dhe dy prerjet e reja të kartëmonedhave 500 dhe 2 mijë lekë, të cilat pritet të dalin në treg në fund dhe në fillim të vitit të ardhshëm. Edhe për to Gent Sejko thotë se nuk do të ndryshojë tematika, por elementët e sigurisë dhe madhësia.
“Tematika mbetet e njëjtë tek të dyja, ndërsa kemi forcuar elementët e sigurisë sipas përshtatjes me tregun. Pritet që prodhimi të përfundojë në muajin nëntor dhe më pas do të bëhet hedhja në treg për njërën në fund të vitit dhe në fillim të vitit 2022 për kartëmonedhën tjetër.”
Dy vjet më parë u rinovuan edhe prerjet 200 dhe 5000 lekë, ndërsa emetimi i dy prerjeve të fundit mbyll ciklin e rinovimit të plotë të serisë së kartëmonedhave të lekëve që qarkullojnë në vend.