Shqipëria është futur në listën e vendeve të cilave u lejohet që të lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Bazuar në kriteret dhe kushtet e vendosur në rekomandimin e BE-së, nga dita e sotme shtetet anëtare duhet që të heqin gradualisht kufizimet e udhëtimet për banorët në Shqipëri, Australi, Izrael, Japoni, Liban, Zelandë të Re, Maqedoninë e Veriut, Ruandë, Serbi, Singapor, Korenë e Jugut, Tajlandë dhe SHBA. Ndërkohë Kina do të konfirmohet nëse vendoset reciprociteti.
Menjëherë pas këtij lajmi ka reaguar edhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. Sipas saj, rekomandimi i Këshillit të BE, erdhi si “rezultat i përmbushjes së kritereve strikte të kontrollit të pandemisë në vend dhe masave të marra nga qeveria shqiptare për adresimin efektiv të kësaj sfide të përbashkët”.
Ndër të tjera ajo rithekson rëndësinë e respektimit të masave nga qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se kujdesi duhet të vazhdojë të jetë maksimal edhe gjatë lëvizjes në vendet e BE, të cilat mund të kenë protokolle specifike edhe pas rekomandimit të fundit.
Nga 20 Qershori Gjermania heq kufizimet me Shqipërinë
Duke filluar nga e diela, më 20 Qershor, shtetasit nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të lejohen të hyjnë sërish në Gjermani pa qenë nevoja të justifikojnë shkakun e udhëtimit. Këtë e bën të ditur Ministria gjermane e Punëve të Brendshme në faqen e internetit.
Në këtë mënyrë Gjermania ndoqi rekomandimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili vendosi të mërkurën, të heqë restriktionet për disa vende të reja.
Në listën pozitive të Gjermanisë janë shtuar veç këtyre tre vendeve edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të tjera.