Juventusi dhe Italia janë në zi pasi u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare simboli i bardhezinjve Giampiero Boniperti. Ai konsiderohet si shpikësi i Juves moderne, autori i motos së klubit: “Të fitosh nuk është e rëndësishme, është e vetmja që ka rëndësi”.
Jeta e tij ka qenë e lidhur me “Zonjën Vjetër”. Një flamur në fillim si lojtar, e pastaj si drejtues, ai ka fituar shumë si në fushë ashtu edhe pas tavolinës së shkrimit.
Nga viti 2006, ishte zgjedhur president Nderi i bardhezinjve.
E gjithë karriera e tij kaloi te Juventusi. Te bardhezinjtë shkoi 17-vjeçar. Për 15 vite ishte në fushë dhe për 23 të tjera si drejtues.
Si futbollist fitoi 5 tituj kampionë dhe dy Kupa të Italisë, ndërsa në 20 vitet si president fitoi të gjithë trofetë u mundshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Bashkë me uellsianin John Charles dhe Omar Sivori-n, krijuan “Treshen Magjike” të bardhezinjve, që dhuroi shumë gola e spektakël.
Drejtimin e klubit e mori nga viti 1971 deri në 1990, e nga viti 1991 deri në 1994 u thirr nga familja Ajeli si administrator i deleguar. Ishte europarlamentar nga viti 94 deri në 99.
Boniperti është golashënuesi i dytë më i mirë i Juves në histori, me 178 gola të shënuar në 444 takime, pas Alessandro Del Pieros.
Nga shumë lojtarë që solli te bardhezinjtë, dy janë më të dashurit, Gaetano Scirea dhe Alessandro del Piero.