Portugalia po feston pasi një 2-vjeçar u gjet gjallë në një zonë me shkurre dhe pyll të dendur 36 orë pasi ishte larguar nga shtëpia e tij, në një operacion kërkimi ku u përfshinë dhjetëra persona.
Banorët e zonës që dolën vullnetarë për të gjetur Noah, tregojnë se vogëlushi u gjet rreth 3 km larg banesës së tij në Proenca-a-Velha, një rajon i vogël në qendër të Portugalisë.
Djali i vogël është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po trajtohet në spital për dehidratim. Një moment shumë emocional ishte dhe ai kur prindërit e takuan.
Noah raportohet të jetë larguar nga banesa në orët e para të mëngjesit, pasi babai i tij fermer kishte dalë për të punuar. Vogëlushi ka zbritur nga krevati i tij dhe pasi ka gjetur derën hapur ka ecur nëpër pyje. Sipas ekspertëve mendohet se djali mund të ketë ecur deri në rreth 10 km përreth zonës.