Një shumë parash prej 86 mijë Paund u sekuestruan pasditen e së premtes në Portin e Durrësit, të cilat nuk ishin deklaruar dhe u tentua të kaloheshin fshehurazi.
Policia e Durrësit ka përfunduar numërimin e parave dhe bëhet fjalë për 86.740 Paund që ishin të fshehura në një furgon mallrash. Paratë ishin ndarë në 16 pako dhe ishin futur brenda një televizori. Furgoni kishte hyrë në Portin e Durrësit gjatë udhëtimit nga Italia.
Për këtë ngjarje është arrestuar shoferi i furgonit, 21-vjeçari Enes Haxhiu banues në Kamëz. Ai akuzohet për mosdeklarim në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë si dhe për pastrim parash.
Ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë implikuar në këtë vepër penale.