Bota Zgjedhjet rajonale në Francë, sondazhet nxjerrin favoritë ekstremistët e Le Pen

Zgjedhjet rajonale në Francë, sondazhet nxjerrin favoritë ekstremistët e Le Pen

Qytetarët francezë do t’u drejtohen qendrave të votimit ditën e diel për zgjedhjet rajonale, ku partia e ekstremit të djathtë mund të mos arrijë rezultatet e vitit 2015, por do të mbetet gjithsesi një konkurrente e fortë në rajonet kyçe.

Të shtyrë për shkak të pandemisë, dy raundet zgjedhore që do të mbahen më 20 dhe 27 qershor do të përcaktojnë liderët e 13 rajoneve të Francës, që aktualisht drejtohen nga partitë e djathta, të qendrës dhe ato të majta.

Sondazhet nxjerrin të favorizuar të djathtën ekstreme të Marine Le Pen në jug, në veri dhe në lindje të vendit.

Drejtori i kompanisë së sondazheve IPSOS deklaroi se një fitore e mundshme e Le Pen në këto zona do të ishte hera e parë në historinë e partisë së saj dhe do të forconte besueshmërinë përpara zgjedhësve.

“Ka gjithnjë e më shumë votues që mendojnë se Marine Le Pen në fund të fundit nuk përbën rrezik për demokracinë. Madje, ka një numër të madh qytetarësh francezë që e konsiderojnë atë një mbrojtëse më të mirë të vlerave të republikës sesa Emmanuel Macron”, deklaroi Brice Teinturier, drejtor i kompanisë së sondazheve IPSOS.

Kandidatët e së djathtës ekstreme po menaxhojnë një platformë të bazuar tek siguria, me një rritje të numrit të votuesve që mbështesin linjën e ashpër të Le Pen kundër kriminalitetit dhe emigracionit.

Nga ana tjetër, partia e presidentit Emmanuel Macron rezulton shumë e dobët në sondazhe dhe ka gjasa që të shkojë drejt dështimit.