Tre fitore në po kaq ndeshje në fazën e grupeve, 7 gola të shënuar, asnjë i pësuar dhe vendi i parë me 9 pikë të plota, kanë bërë që Italia të cilësohet si një nga pretendentet kryesore për të triumfuar në Kampionatin Europian
Italia e Roberto Mancinit është shumë ndryshe, numrat flasin qartë. Skuadra aktuale ia lejon vetes luksin të mbajë të njëjtat koordinata edhe kur ndryshon 8 titullarë në një ndeshje të caktuar.
Kundër Uellsit ishin në fushë vetëm 3 titullarë nga ndeshja e mëparshme, Donnarumma, Bonucci dhe Jorginho, por manovra e lojës mbeti e njëjtë dhe mbrojtja nuk pësoi sërish gol. Turnover i gjerë, madje trajneri ndryshoi edhe portierin, – siç ndodh në ndeshjen e fundit të kampionatit, kur nuk ka më rreziqe për objektivat, – për t’u treguar të gjithëve forcën e grupit.
Në kompeticionet e shkurtra ndërkombëtare ky është aspekti më i rëndësishëm. E tregon historia e futbollit italian (Spanjë ’82 dhe Gjermani ’06, për shembull). Pastaj është organizimi i lojës, që ka të bëjë me koncepte bazike për të shfrytëzuar lidhjen natyrale mes lojtarëve. Mancini dhe stafi i tij kanë bërë më shumë, duke punuar me principe që janë evidente, pavarësisht se kush zbret në fushë.
Kundër Uellsit, Mancini e nisi ndeshjen me Bernardeschin në të djathtë dhe Chiessa-n në të majtë. Dy lojtarë krahu, ku të parit i ngarkoi detyrat që i takojnë Insignes, me Emersonin që shtynte në linjën anësore, duke i dhënë Chiessa-s mundësinë të provonte kalimet e tij një kundër një në të djathtë.
Verrati ishte mahnitës në mesfushë, e mbështeti shumë mirë Jorginhon në regji, duke liruar Pesinën për të avancuar më përpara në të djathtë. Manovra është zhvilluar në koncepte të konsoliduara dhe mbrojtja nuk e ndjeu turnover-in, duke bërë që Italia të shkojë në 11 ndeshje pa pësuar gol. Meqë jemi te rekordet, Mancini ka barazuar Vittorio Pozzon për numrin e rezultateve pozitive radhazi (30). Të shtunën, në 1/8-at, shpresohet që të thyhet edhe ky rekord që reziston prej 82 vitesh.