Bota Erdogan ndalon muzikën në mesnatë, polemika në Turqi për “ndëshkimin  e stilit...

Erdogan ndalon muzikën në mesnatë, polemika në Turqi për “ndëshkimin  e stilit të jetesës”

Sikundër shumë shtete edhe Turqia nis të lehtësojë masat kundër COVID-19. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan bëri me dije se duke nisur nga 1 korriku, do të shfuqizohen disa prej kufizimeve si dhe orari i shtetrrethimit.

Ai shtoi se eventet e muzikës live, përfshirë koncertet do të lejohen deri në mesnatë pasi sipas tij, askush nuk ka të drejtë të rrezikojë jetën e të tjerëve.

“Na vjen keq, por askush nuk ka të drejtë të shqetësojë të tjerët natën”. Me këto fjalë, presidenti Erdogan motivoi vendimin e qeverisë së tij për mbylljen e sallave të koncerteve dhe ndërprerjen e muzikës  në klube në mesnatë.

Një iniciativë kjo që po shkakton një stuhi polemikash në mediat sociale, ku mijëra përdorues akuzojnë ekzekutivin për shfrytëzimin e pandemisë për të ndëshkuar stilin e jetesës.

“Ne jemi ofenduar” (#kusurabakiyoruz), është hashtag që është bërë viral në këto orë, duke përmbysur fjalët e kreut të shtetit. Protesta të menjëhershme erdhën gjithashtu edhe nga bota e muzikës.

“Nëse të shqetëson, mos e dëgjo”, komentoi këngëtarja Gaye Su Akyol në Twitter, duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentit Erdogan.

“Muzika nuk shqetëson, por shëron shpirtrat e shqetësuar. Muzikantët nuk shqetësojnë, ata prodhojnë art”, shkroi këngëtarja në Tëitter Aylin Aslim.

Reagime të forta vijnë gjithashtu nga opozita, sipas të cilave ekzekutivi “nuk po lufton me koronavirusin, por me stilin e jetës së njerëzve”.

Gjithashtu reagime pati edhe nga bota e biznesit, që shpreh shqetësim në lidhje me kufizimet e ardhshme mbi oraret e shitjes së alkoolit.

Një pjesë e kufizimeve në Turqi u lehtësuan më 1 qershor, kur restorantet dhe kafenetë u lejuan përsëri të prisnin klientë. Ankaraja shpreson që rënia e infeksioneve, së bashku me një përshpejtim në programin e saj të vaksinimit në rreth 1.5 milion injeksione në ditë, do të ndihmojë në fillimin e një rikuperimi në turizëm.