Instalimi i paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë, si një alternativë për uljen e kostove, po tërheq gjithmonë e më tepër vëmendjen e investitorëve. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të AZHBR, Frida Krifca, ishin në Korçë ku inspektuan investimin e realizuar nga një sipërmarrës, përfitues i programit të zhvillimit IPARD II, i cili ka investuar në instalimin e paneleve fotovoltaike për vetë konsum.
Teksa u njoh me investimin e kryer, i cili mbulon një pjesë të konsiderueshme të nevojës që ky biznes ka, ministrja Belinda Balluku, e cilësoi këtë investim si një bashkëpunim shumë të mirë mes energjisë dhe bujqësisë dhe një hap tjetër drejt diversifikimit të burimeve të energjisë.
“E gjithë energjia që prodhohet në Shqipëri është e rinovueshme, por ajo që ne sot po mundohemi të bëjmë është të diversifikojmë burimet. Pra, të mos kemi më vetëm hidrocentralet, të cilat padyshim janë në varësi edhe të motit. Nga ana tjetër, sigurisht ajo që ne synojmë është eficienca energjetike. Pra, sa më shumë kompani të prodhimit të cilat bëhen efiçiente dhe autoprodhuese të energjisë, sa më shumë energji prodhohet nga vetë këto kompani, pa ju drejtuar shpërndarësit të energjisë elektrike për shtetin shqiptar, është një arritje shumë e madhe, e cila tashmë është shtrirë edhe në sektorin e bujqësisë. Për ne është një zgjidhje e shkëlqyer që unë shpresoj që ta shohim shpejt edhe në sera, duke qenë se është një praktikë europiane”, u shpreh Balluku.
Ky investim pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e kostove, por njëkohësisht duke reflektuar edhe në uljen e çmimit të produktit. Bashkëpunimi mes energjisë dhe bujqësisë do të jetë i suksesshëm, tha Balluku, duke shtuar se shumë shpejt do të shohim projekte të ngjashme edhe në sipërmarrje të tjera.
“Ju duhet ta reflektoni këtë në çmimin për konsumatorin e produktit tuaj. Kjo është e rëndësishme. Ky ndikim nuk duhet të jetë një ndikim thjesht që të përfitojë kompania, kjo duhet të jetë diçka që duhet të përfitojë edhe tregu, ky është synimi. Sigurisht, siç duhet të përfitojnë edhe prodhuesit e paneleve fotovoltaike dhe kur ata janë shqiptarë për ne është akoma një kënaqësi më e madhe”, nënvizoi Balluku.
Drejtoresha e AZHBR bëri të ditur se janë disa biznese, në zona të ndryshe të vendit të cilat kanë shfaqur interes për t’u kthyer në autoprodhues të energjisë, duke pasur si synim uljen e kostove të tyre.
“Ne kemi tashmë rreth 6 subjekte që kanë implementuar projekte të ngjashme, qoftë me energjinë e rinovueshme ose me trajtimin e mbetjeve, që është një pjesë tjetër e rëndësishme për fermat blegtorale, se do të ketë një ndikim patjetër në cilësinë e mjedisit ku jetojmë, jo vetëm në çlirimin e energjisë. Ky është një bashkëpunim, që ka nisur mirë, me këmbën e mbarë. Dua të të falenderoj sepse na ke shtyrë të çojmë përpara një proces që mendoj se do jetë transformues për sektorin e bujqësisë. Objektivi është te serrat, por jo vetëm aty. Ka një milion mundësi se ku subjektet agropërpunuese që kanë frigoriferë shumë të mëdhenj, janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë, mund të shohin modele të tilla”, theksoi Krifca.
Në subjektin e vizituar, i cili është një fabrikë për përpunimin e mishit dhe produkteve të tij, janë investuar për ndërtimin e dy impianteve fotovoltaike me kapacitete 400 dhe 500 Kw.