Kostas Bakoyannis, i cili prej vitit 2019 drejton Bashkinë e Athinës, thotë se shqiptarët në Greqi janë tashmë një komunitet plotësisht i integruar dhe i quan “athinas”. Këtë deklaratë, Bakoyannis e bëri gjatë një interviste për Euronews Albania me gazetaren Bruna Çifligu.
“E keni fjalën për athinasit. Athinas të vërtetë. Aq sa jam unë athinas janë dhe ata. Fëmijët e tyre janë rritur me fëmijët tanë, ata shkojnë në shkollë me fëmijët tanë, kanë hyrë në ushtrinë me fëmijët tanë dhe punojnë së bashku. Nuk ka më dallime”, deklaroi politikani 43-vjeçar.
Ai konsiderohet si një prej politikanëve të rinj, prej së cilëve Greqia mund të shohë drejt së ardhmes. Por tashmë që është pjesë e pushtetit lokal ai thotë se ka për detyrë që të gjejë zgjidhje reale për problemet reale.
“Mendoj se është një brez i ri në Greqi. Greqia, pas krizës së gjatë ekonomike, është kthyer me një sens të ri optimizmi dhe vetëbesimi. Ndaj, po. Mendoj se mund të shpresojmë për një të ardhme më të ndritur”, shprehet z. Bakoyannis.
“Greqia dhe Shqipëria kanë vullnet politik për të bashkëpunuar”
Bakoyannis ka vlerësuar marrëdhëniet Shqipëri-Greqi duke theksuar se dy vendet kanë mundësi për të shtuar bashkëpunimin mes tyre.
Bakoyannis i tha gazetares Bruna Çifligu se Shqipëria dhe Greqia nuk duhet të kapen pas së shkuarës, por të shohin drejt një së ardhmeje së përbashkët evropiane. Ai theksoi se në këtë pjesë Greqia e mbështet rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Kryebashkiaku i Athinës u shpreh se dy vendet kanë shumë gjëra për të mësuar nga njëri-tjetri. Në këtë pjesë ai theksoi kulturën dhe arsimin, me idenë që bashkëpunimi në këto fusha në të ardhmen të jetë “sa më i gjerë”. Bakoyannis thotë se “vullneti politik për bashkëpunim midis dy vendeve ekziston”.
“Ne mund të bëjmë gjithçka. Vetëm natën e kaluar kishte një dokumentar për Kerosin në Durrës. Është e njëjta logjikë. Kemi orkestra, kemi evente muzikore dhe art. Mund të bëhemi bashkë dhe t’i shkëmbejmë këto mes dy qyteteve. Nuk është diçka e vështirë, është çështje vullneti dhe vendosmërie,” – u shpreh z. Bakoyannis.
Greqia përmes ambasadës në Tiranë ka bërë një investim në liqenin e Farkës, “Parkun Helenik” dhe z. Bakoyannis tha se tashmë që kufijtë po hapen dhe pandemia po zbutet, investimet mund të vijojnë.
Tirana vitin e ardhshëm pritet të jetë “Kryeqyteti i Rinisë” dhe Bakoyannis theksoi se kjo mund të shfrytëzohet nga kryeqyteti shqiptar pasi ndodh pas pandemisë. Vetë ai vlerësoi ndryshimet e bëra në Tiranë duke u shprehur se “është më e gjallë se kurrë”.
Kush është Kostas Bakoyannis
Kostas Bakoyannis, 43 vjeç, u zgjodh kryetar i Bashkisë së Athinës në qershor të vitit 2019.
Kostas është nip i kryeministrit aktual Kyriakos Mitsotakis, djalë i ish-ministres së Jashtme Theodora Bakoyannis dhe politikanit liberal Pavlos Bakoyannis – vrarë nga organizata terroriste ‘17 Nëntori’ në vitin 1989. Ai e nisi politikën në vitin 2010 kur zyrtarizoi kandidaturën si i pavarur për kryebashkiak të Karpeneshit (Karpenísi) dhe më vonë kaloi te partia e Mitsotakis “Demokracia e Re”.