“Reforma në drejtësi ka kosto personale dhe profesionale, por ia vlen. Nëse ne nuk paguajmë kostot sot, brezat e ardhshëm do të paguajnë kostot dhe nuk mendoj që kjo është gjëja e duhur që duhet bërë për këtë vend”. Kështu u shpreh ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në fjalën e saj gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore mbi veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për periudhën e monitorimit dhjetor 2020 – prill 2021. Sipas saj, KLD e KLP kanë shumë punë përpara, ndërsa shprehu mbështetjen ndaj tyre për reformën në drejtësi, si një proces që i shërben të ardhmes së vendit.
“Është puna juaj për të vendosur. Këshilli duhet të caktojë mirë standardet dhe kodin etik. Si KLD e KLP kanë shumë punë përpara, por nuk jeni vetëm në këtë punë. Ne kuptojmë trysninë dhe kuptojmë rëndësinë e ecjes përpara të reformës në drejtësi për të mirën e këtij shteti. Ky është momenti. Ju keni rol për të luajtur për të ardhmen. Brezi i ardhshëm varet nga kjo. Shpresoj që të kemi mundësi më të mirë. Kjo është e vështirë. Ka kosto personale dhe profesionale, por është një sakrificë që ia vlen. Sepse përfitimet do të jenë për Shqipërinë. Nëse ne nuk paguajmë kostot, brezat e ardhshëm do të paguajnë kostot dhe nuk mendoj që kjo është gjëja e duhur që duhet bërë për këtë vend”.
Ndërsa mbështeti monitorimin e institucioneve të drejtësisë, Kim u shpreh se nuk duhet t’ia lejojmë vetes për të mos pasur sukses në të.
“Kjo reformë është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, forcimin e demokracisë dhe ecjen përpara. Monitorimi i institucioneve të drejtësisë esenciale. Ambasada e SHBA-së e mbështet monitorimin e KLGJ e KLP. Për të pasur një Shqipëri më të mirë dhe më të denjë dhe të begatë si anëtare e NATO-s e BE-ja reforma në drejtësi duhet të vazhdojë. Procesi po ecën përpara GJL ka 7 gjyqtarë dhe këto arritje vijnë nga puna e Këshillave. Është vërtet e rëndësishme dhe ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që të mos kemi sukses në të. KLD duhet të ketë një SPAK efikas duke promovuar gjyqtarë që kanë kaluar vetingun. Plotësimi i vendeve vakante të shkaktuar nga vetingu ka qenë alarmues dhe KLD ka mundësi ta kthejmë këtë proces në shtegun e duhur, duke vendosur gjyqtarët në pozitat e nevojshme. Duke bërë hartësim gjyqësor dhe duke u kërkuar llogari magjistratëve”.
Më herët, ambasada e SHBA-së në Tiranë ka dhuruar pajisje në Shqipëri për të mbështetur kapacitetin hetues të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale, ambasada thekson se mbështet përpjekjet e tyre për të çuar përpara reformën në drejtësi, për të fuqizuar shtetin e së drejtës dhe për të forcuar më tej institucionet demokratike
“Prokurorët në Shqipëri janë në vijën e parë të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe trafikimit të narkotikëve. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikanës mbështet përpjekjet e tyre për të çuar përpara reformën në drejtësi, për të fuqizuar shtetin e së drejtës dhe për të forcuar më tej institucionet demokratike. Këtë javë, Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Drogës dhe Zbatimit të Ligjit Ben Rockëell dhe Këshilltarja Ligjore Rezidente Michelle Lakomy diskutuan mbështetjen e SHBA-së me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela. Ambasada dhuroi pajisje për të mbështetur kapacitetin hetues të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe për të arritur këto qëllime thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë evropian”.