Po çfarë opsionesh kishte Shqipëria përveç votës pro apo kundër? Dhe si e shohin këtë votim dy ish-ambasadorë shqiptarë, ai në Izrael dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB?
“Shpjegimi i Amerikës ishte shumë i qartë: Ne njohëm një realitet që do t’i shërbejë paqes së ardhshme. Shqipëria nuk e di se kush është plani i Amerikës për paqen e ardhshme dhe nuk e di se çfarë do të bëhet më tej. Si një aktor pa rëndësi, për mendimin tim, u reshtua në anën e gabuar të vendeve islamike, duke sakrifikuar atë që është partneri partneri ynë kryesor strategjik, i cili ka një peshë të jashtëzakonshme edhe për çështjen tonë kombëtare”, u shpreh Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB.
“Ka qenë një qëndrim korrekt i diplomacisë shqiptare. Vota pro është në të njëjtën linjë me BE dhe në këtë kuptim ne i jemi përmbajtur në mënyrë koherente disa rezolutave, disa konsensuseve ndërkombëtare, që sa i takon statusit të Jeruzalemit janë rreth 70-vjeçare”, tha Tonin Gjuraj, ish-ambasadori i Shqipërisë në Izrael.
Agim Nesho: Kur është rasti që për rezoluta të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, mendimi i BE është i ndarë, atëherë vendet votojnë sipas interesave të tyre kombëtare. Në këtë rast kishim një rezolutë të pastër kundër SHBA dhe Shqipëria me pak vizion duhet të kishte abstenuar.
Tonin Gjuraj: Jo absolutisht jo. Vota pro është më e qartë, është një qëndrim më korrekt, pasi vende si Bosnja apo Kroacia nuk janë udhërrëfyese në politikën e jashtme të BE-së.
Agim Nesho: Mendoni për një rast, sikur SHBA për një zgjidhje që mund të tentohet të vihet në tavolinë nga skenare të përbashkëta serbo-rus, që mund të thonë se mund të ketë një zgjidhje ndryshe për Ballkanin, duke përfshirë edhe Kosovën. Në këtë rast, kujt do t’i drejtohej Shqipëria? Do të drejtohej nga vendet Islamike, që shumica ende nuk e kanë njohur Kosovën apo vendeve europiane, duke përfshirë dhe Francën dhe Gjermaninë, që kur ishte rasti i krizës në ish-Jugosllavi për zgjidhjen e konfliktit dhe gjenocidit në Bosnje, por edhe në Kosovë, e kishin të pamundur të vetme të realizonin këtë skenar.
Tonin Gjuraj: Projekti i paqes për konfliktin izralito-palestinez është projekt amerikan. Ne kemi qenë në të njëjtën linjë në të kaluarën dhe unë besoj se “PO”-ja e Shqipërisë do të kuptohet shumë mirë nga SHBA-të.
Agim Nesho: Ndoshta do të ketë konsekuenca jo të drejtpërdrejta, por ne duhet të jemi të vëmendshëm që kjo tregon se diplomacia, vija e politikës së jashtme shqiptare qenka lehtësisht e ndryshueshme sipas interesave të klasës politike që është në pushtet ose të presionit të forcave të tjera duke prishur ato balanca të domosdoshme për çështjen e kombit shqiptar siç janë marrëdhëniet midis Amerikës dhe Shqipërisë./ TCH