Një punonjës i Zyrës Përmbarimore në Fier, i cili u arrestua pasi i mori një qytetari 25 mijë lekë për të shtyrë afatin e ekzekutimit të një urdhri të formës së prerë, u dënua me një vit e katër muaj burg. Pëllumb Isufaj u arrestua në flagrancë në Maj të këtij viti, pasi policia e incizoi atë ndërsa merrte shumën nga Gëzim Malaj, i cili e kishte denoncuar në polici.
Gjykata sidoqoftë vendosi që dënimin e Isufajt ta konvertonte në shërbim prove, ndërsa i ndaloi atij për pesë vjet që të kryej funksione publike. Prokuroria që kërkoi dënimin me burg të ish-përmbaruesit dhe kundërshtoi konvertimin e dënimit, ndërkohë që avokati i çështjes kërkoi që gjykata të mos ndalonte Isufajn të kryente funksione publike. Si akuza ashtu edhe mbrojtja thanë se do të apelonin çështjen.
Isufaj u akuzua nga prokuroria për veprën penale të “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pas arrestimit në flagrancë të tij teksa po i merrte një shumë të hollash Gëzim Malajt në këmbim të shtyrjes së afatit të ekzekutimit të një vendimi të formës së prerë. Në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, një kopje e të cilit është siguruar nga BIRN, përshkruhen rrethanat e veprimeve të paligjshme të kryera nga përmbaruesi gjyqësor Isufaj.
Gjatë konkluzioneve përfundimtare prokurorja e çështjes Elida Hoxha ka kërkuar “deklarimin fajtor të të pandehurit Pëllumb Isufaj për kryerjen e veprës penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe dënimin e tij me dy vite burgim”.
Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, prokurorja ka kërkuar përfundimisht dënimin e Isufajt me një vit e katër muaj. Ndërkohë, edhe avokati mbrojtës, Vladimir Cjapi, ka pranuar deklarimin fajtor të klientit të tij, por veç aplikimit të gjykimit të shkurtuar ka kërkuar edhe pezullimin e dënimit dhe vendosjen e Isufajt në shërbim prove për një periudhë dy vjeçare.
Treshja gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Marsela Dervishi, Pirro Sota dhe Matilda Shalla kanë vendosur përfundimisht, në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimin e Isufajt me një vit e katër muaj burgim, pezullimin e dënimit dhe vendosjen e të pandehurit në shërbim prove për dy vjet e tetë muaj. Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij.
I pyetur nga BIRN, mbrojtësi ligjor i Pëllumb Isufajt u shpreh se i qëndron gjithçkaje kanë deklaruar në gjykatë, por ai tha se do ta apelonte çështjen. Prokuroria Fier po ashtu ka vendosur të bëjë apel, pasi kundërshton konvertimin e dënimit në shërbim prove.
Pasi kishte mësuar për një urdhër ekzekutimi debitori Gëzim Malaj, ka shkuar të takojë përmbaruesin gjyqësor Pëllumb Isufaj në zyrën e tij dhe i ka thënë se kishte bërë rekurs dhe se çështja aktualisht ndodhej në Gjykatën e Lartë, pasi ka pretenduar se janë përdorur dokumente të falsifikuara. Me këto argumente ai i ka kërkuar përmbaruesit që të shtyjë kohën e ekzekutimit të vendimit. Por Isufaj i ka thënë se është duke ekzekutuar një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe se ekzekutimi do të vazhdojë.
Më pas, Malaj, është larguar nga zyra e të pandehurit Pëllumb Isufaj, por e ka pritur atë jashtë ku e ka takuar sërish dhe i ka kërkuar që të shtyjë ekzekutimin e vendimit deri sa të shprehet Gjykata e Lartë mbi rekursin e paraqitur.
Prokuroria gjeti se Pëllumb Isufaj i ka premtuar se do ta shtynte ekzekutimin e vendimit për 20 ditë ose maksimumi një muaj, por në këmbim të kësaj i ka kërkuar të paguajë një “bakshish” duke përcaktuar shumën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë, thuhet në vendimin e gjykatës.
Pas këtij takimi, qytetari Gëzim Malaj është paraqitur në Sektorin për Krimin Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Qarkut Fier dhe ka denoncuar duke u treguar i gatshëm të bashkëpunojë për të regjistruar komunikimet me përmbaruesin gjyqësor.
“Pas kryerjes së përgjimit, përmbaruesi gjyqësor Pëllumb Isufaj është kapur në flagrancë nga punonjësit e policisë gjyqësore, duke marrë një shumë prej 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë nga qytetari Gëzim Malaj”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Në dëshminë e tij në prokurori dhe gjykatë Malaj ka deklaruar se i ka thënë përmbaruesit që ishte i varfër, por sërish e ka pyetur se sa para duheshin dhe Pëllumbi ka theksuar se duhej të jepte 300 mijë lekë të vjetra që ta shtynte ekzekutimin.
“Nga përgjimi ambiental i bisedave ndërmjet përmbaruesit dhe qytetarit Gëzim Malaj, ka rezultuar se i pandehuri Pëllumb Isufaj i ka premtuar se do ta ndihmonte që ta shtynte ekzekutimin e vendimit deri pas zgjedhjeve”, thuhet në vendimin e gjykatës. Aty përmendet se gjatë përgjimit ambiental Isufaj i thotë denoncuesit:“… aq sa ke s’ka gjë, unë s’po të pres litarin me sëpatë ty, sa ke. Në qoftë se do t’i japësh mirë në qoftë se s’do, unë e dhashë fjalën”.
Gjatë marrjes në pyetje, i pandehuri Isufaj, ka deklaruar se ai nuk i ka kërkuar lekë shtetasit Gëzim Malaj, por se ka qenë ky i fundit që ka tentuar dhe i ka dhënë lekët. Megjithatë Isufaj përmes avokatit ka pranuar fajësinë.