Euro 2020 ka mbërritur deri në hapësirë. Jo thjesht prej spektaklit dhe golave të dhuruar, por në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Supersfida ndërmjet Portugalisë dhe Francës është ndjekur në hapësirë nga Thomas Pesquet. Astronauti i Agjencisë Hapësinore Europiane publikoi imazhet teksa po shihte direkt ndeshjen ndërmjet kampionëve të botës dhe kampionëve të Europës në fuqi, që përfundoi në barazim 2-2.
I rikthyer në hapësirë për misionin e dytë më 23 prill, ai kishte kërkuar që t’i mundësohej të shihte ndeshjet e përfaqësueses së vendit të tij, Francës, në turneun kontinental. Vetëm pak orë para ndeshjes, Pesquet kishte biseduar nëpërmjet videos edhe me Kylian Mbappe, duke e bërë yllin e Francës, të parin futbollist që futet virtualisht në stacionin hapësinor.