Opinione Halli i Gjykatës Kushtetuese

Halli i Gjykatës Kushtetuese

Nga Dritan Hila

Çuarja për herë të dytë Komisionit të Venecia që të shqyrtojë aferën e zgjedhjeve lokale padyshim që do bëhet objekt humori.

Që herën e parë ky komision u shpreh qartë për aq sa e ka tagrin, dhe nuk është puna e tij që të vendosë emra se kush është gabim e kush është drejt.

Që do kishim një sjellje qesharake të kushtetuesve u duk që te shpjegimi i vendimit që dhanë. I thënë shqip, ishte: “O djem, na lini rehat ne dhe zgjidhini vetë këto punë”.

Në fakt deri më tani, asnjë nga emrat që kanë zënë ato karrige nuk i thotë asgjë publikut. Janë emra anonimë dhe pa ndonjë arritje profesionale në një terren i cili gëlon nga krimi, korrupsioni, dhe problematika në çdo fushë të jetës. Përzgjedhja e tyre ishte më shumë një produkt përllogaritjesh politike ku regjisorët i zgjidhnin aktorët në bazë të garancive që do kishin në të ardhmen sesa zbatim korrekt i Reformës në Drejtësi. Kështu që nuk mund të priten çudira nga kjo trupë. Çudia është që bëjnë naivin deri në atë pikë sa nuk interpretojnë një vendim që Venecia e ka marrë dhe nuk ka çfarë të thotë tjetër por ia nisin rishtas.

Gjithsesi përtej formës që kanë zgjedhur për të fituar kohë, halli është diku tjetër. Së shpejti në duart e tyre do të jenë patate të tjera të përvëluara që kërkojnë vendimin e tyre. Dhe e para ka të bëjë me shkarkimin e presidentit. E kanë mbi tryezë dhe ndërkohë do iu duhet të japin një vendim. Por mesa duket strategjia e tyre është që ta lidhin publikun me çështje banale dhe të tejkaluara si kjo e zgjedhjeve lokale, për të fituar kohë dhe me shpresë se ndërkohë ngjarje të tjera do të ndodhin dhe nuk do merret njeri me ta derisa presidenti të mbarojë mandatin e tij. Vetëm se problemi është që këta persona janë pasqyra e Reformës në Drejtësi.

Nëse nuk funksionojnë këta, nëse këta nuk kanë kurajë të shprehen dhe marrin vendime, atëherë si është piramida poshtë tyre? A e kanë idenë sesi bjerret besueshmëria e njerëzve që prisnin kaq shumë nga kjo reformë e cila shpresohej të bënte një drejtësi të patrembur nga të fortët?! Ky rast, më shumë sesa rastet që komentojnë ndërkombëtarët, është një problem që shqetëson publikun. Apo varja, Selanik e të përpjetë, siç ka qenë do të jetë?/dritare.net