Ministri i Shëndetësisë në Angli, Matt Hancock, është kapur mat nga kamerat e sigurisë teksa është puthur me ndihmësen e tij. Mediat në Angli kanë publikuar foto të ministrit duke u puthur në ambientet e punës dhe shkruajnë se posti i tij tani është në rrezik.
Në fotot e publikuara nga The Sun, shihet momenti kur ai në një nga korridoret e ministrisë shkëmben puthje në buzë me ndihmësen e tij, Gina Coladangelo.
Më tej shtohet se prej kohësh flitej për një lidhje të fshehtë mes tyre, por askush nuk e kishte pranuar dhe nuk kishte prova për të vërtetuar këtë gjë. Por pas publikimit të fotove, gjithçka është konfirmuar.
Mediat shkruajnë se Hancock njihej prej kohësh me ndihmësen, pasi kishin studiuar bashkë në Oksford.
Ministri është i martuar dhe ka tre fëmijë, por ashtu dhe Coladangelo është nënë e tre fëmijëve.
Reagimi
Ministri i Shëndetësisë të Anglisë, Matt Hancock, ka folur pas fotove të publikuara në media duke u puthur me sekretaren e tij në korridoret e ministrisë. Në një deklaratë ministri ka thënë se ka thyer rregullat e distancimit fizik dhe pranon të jetë puthur me ndihmësen e tij, Gina Coladangelo.
“Unë pranoj që kam shkelur udhëzimet për distancimin shoqëror në këto rrethana, jam shumë i penduar. Unë mbetem i përqendruar në punën për të nxjerrë vendin nga kjo pandemi dhe do të isha mirënjohës për privatësinë për familjen time për këtë çështje personale“, ka thënë ai.
Lidhur me fotot e publikuara ka reaguar dhe Partia Laburiste, e cila ka kërkuar nga Kryeministri Boris Johnson që të shkarkojë Hancock. Por pas kësaj kërkese, ministri tha se ai do të qëndrojë në detyrë për të vijuar luftën kundër Covid-19.
Por politikanë të tjerë kanë shtuar akuzat duke thënë se Hancock ka shkelur ligjin me emërimin e sekretares së tij duke abuzuar me pushtetin. Fotot e publikuara sot dyshohet se janë shkrepur në fillim të muajit Maj.