Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, doli në një konferencë për shtyp në lidhje me ngjarjet e fundit kriminale në vend, duke u shprehur se policia nuk mund të ndjekë çdo makinë apo të parandalojë një krim në mesnatë edhe pse pranon se edhe policia duhet të reflektojë.
Ministri theksoi se mbi të gjitha duhet “të reflektojnë ata prokurorë e gjykatës që vazhdojnë me parimin KÇK”.
“Ngjarjet e fundit janë të rënda, por policia nuk mund të ndjekë çdo makinë në vend dhe as të parandalojë një sherr në orën 01:00 të mëngjesit. Por edhe policia duhet të reflektojë, por mbi të gjitha të reflektojnë ata prokurorë e gjykatës që vazhdojnë me parimin KÇK.
Nuk dënon policia, por gjykata. Policia ndalon persona me armë, por fatkeqësisht përkundër kushteve të flagrancës çon në shtëpi të arrestuarit. Pavarësisht shtrëngimeve të reja të ditura në kodin rrugor vendimet e gjykatave janë skandaloze”, tha Çuçi.
Bledi Çuçi theksoi se brenda kësaj jave do të ketë ndryshime në nivele qarqesh në polici, si dhe do të ngrihet një strukturë parandaluese për ngjarjet.
“Do të nisë një ndryshimi i thellë në nivel qarku dhe do shtrihet në çdo komisariat. Do të futet hetimi i të ardhurave për makinat e shtrenjta që kapen në kundërvajtje të përsëritur. Kamera trupi për policët. Do jetë komisariati digjital për shkelësit e ligjit. Ne jemi të vetëdijshëm për nevojat e shqiptarëve. Të gjithë do të prekim ndryshimin e mëtejshëm në policinë e shtetit”, tha ministri.