Duke nisur nga kjo e hënë qytetarët italianë mund të “marrin sërish frymë lirisht” pa u detyruar që në ambientet e jashtme të mbajnë maska.
Tanimë me lehtësimin e kufizimeve dhe kur i gjithë shteti fqinj ndodhet në zonë të bardhë, maskat janë të detyrueshme vetëm në ambientet e brendshme dhe në rastet kur distanca fizike nuk mund të ruhet.
Por, megjithatë qytetarët italianë duket se janë mësuar me mbajtjen e maskës dhe e shohin ende të nevojshme. Shumë njerëz u panë në rrugë me maska në krahë ose nën mjekër. Njerëzit në autobusë janë ende të detyruar të mbajnë maska.
“Ne sapo zbritëm nga autobusi dhe duam që të jemi të kujdesshëm në transportin publik, por tani jemi jashtë dhe do t’i heqim, por është një lehtësim dhe shpresë për muajt që vijnë”, u shpreh një qytetare.
“Jemi të lumtur sepse nuk na duhet të përdorim maskë, mund të marrim frymë lirisht”, u shpreh një turist polak.
Deri më tani infeksionet e COVID-19 në Itali janë duke u zvogëluar nga dita në ditë megjithëse qeveria po mbikqyr çdo variant të ri. Gjatë të dielës Italia raportoi 14 vdekje të lidhura me COVID-19, ndërsa numri i përditshëm i infeksioneve të reja ra në 782 nga 838.