Aktualitet Ndalohet Audi me 180 km/h në autostradën Levan-Vlorë

Ndalohet Audi me 180 km/h në autostradën Levan-Vlorë

Në fillim të këtij sezoni turistik si dhe duke u nisur nga ngjarjet e fundit ku u shua një familje me 4 anëtarë në autostradën Fier-Vlorë, policia ka shtuar kontrollet.

Gjatë 24 orëve të fundit Policia Rrugore ka ndëshkuar drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi që varionte nga 111 km/orë në qendrat e banuara dhe deri në 180 km/orë në aksin rrugor Levan–Vlorë.

Në këtë autostradë, 30-vjeçari me iniciale E.C. nga Fieri drejtonte mjetin tip “Audi” me shpejtësi 180 km/orë në autostradën Levan –Vlorë. Ai u ndëshkua nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore.

Ndërsa gjatë kontrollit me alkooltestues janë ndëshkuar drejtues mjetesh që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit me masa që varionin nga 0.34 mg/l deri në 0.90 mg/l.

Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 15 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti te pa pajisur me leje drejtimi. Janë pezulluar gjithsej 67 leje drejtimi, nga të cilat 39 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 28 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Gjithashtu  janë ndëshkuar me masë administrative 2881 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.