Sport Rënia e perëndive, Zvicra bën surprizën e madhe

Rënia e perëndive, Zvicra bën surprizën e madhe

Zvicra shkakton surprizën e madhe të “Euro 2020”, duke eliminuar Francën pas serisë së 11-metërshave.

“Gjelat” u befasuan nga Seferovic, në minutën e 15 të pjesës së parë, duke e parë veten në disavantazh. Sikur të mos mjaftonte kjo, në pjesën e dytë (55’) Zvicra fiton penallti, por Ricardo Rodriguez nuk mposht dot portierin Lloris, duke humbur rastin më të artë për të dyfishuar rezultatin.

Kjo shënoi pikën e kthesës për Francën, që 4 minuta më vonë barazoi me anë të Benzema, pas një pasimi të bukur të Mbappe. Dy minuta më vonë, ishte sërish Benzema që finalizoi një aksion të përkryer të francezëve dhe i dha avantazhin kampionëve në fuqi të botës.

Në minutën e 75, Pogba u mendua se vulosi ndeshjen me një gol fantastik nga jashtë zone, por Seferovic dhe Gavranovic, në 10 minutat e fundit të takimit, barazuan rezultatin, duke e çuar ndeshjen në shtesë.

30 minutat e shtesës nuk ndryshuan rezultatin dhe gjithçka u zgjidh me anë të serisë së 11-metërshave, aty ku vetëm Mbappe gaboi dhe Zvicra tashmë do të përballet me Spanjën në çerekfinale.