Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” pa afat për Hasan Ferracakun dhe Elmilind Dylin, dy personat e plagosur në ngjarjen e Velipojës, të cilët u arrestuan si të përfshirë në ngjarjen e Velipojës që prodhoi katër të vrarë.
Seanca është mbajtur në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes shëndetësore të të plagosurve.
Prokuroria kërkoi për të dy arrest në burg, ndërsa pala mbrojtëse kërkoi masë më të butë për 17-vjeçarin Elmilind Dyli, për shkak të moshës, kërkesë kjo që nuk u pranua nga gjykata.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës në plazhin e Velipojës, teksa konflikti për ndarjen e hapësirës së plazhit për vendosjen e shezlongëve mes 2 hoteleve degjeneroi në përdorimin e armëve.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbetën të vrarë Kujtim Ferracaku 59-vjeç, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38-vjeç, si dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç, punonjës i shezlongëve që kishte nisur punën pikërisht një ditë para ngjarjes.
Gjithashtu në këtë përplasje me armë mbetën të plagosur edhe vëllai i Kujtim Ferracakut, Hasani dhe nipi i tij Elmilind Dyli, të cilët si pasojë e plagëve të marra ndodhen ende në spital.
Konflikti mes familjeve që kanë në pronësi hotelet “Fantazia” dhe “Gocaj” dhe që ndodhen vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit kishte ditë që kishte nisur për ndarjen e sipërfaqes së plazhit. Në orët e vona të shtunës anëtarët e familjes Ferracaku shkuan në hotelin Gocaj me qëllim që të sqaroheshin, por situata doli jashtë kontrollit dhe palët nxorën armët duke lënë të vrarë nga të dy krahët.