Steve Hickman, një teknik zhytjeje, prej kohësh është në kërkim të thesareve të veçanta nënujë. Ai nuk kërkon vetëm relikte nga anije të vjetra të mbytura, por edhe shishe qelqi me alkool, të zhytura në fund të deteve.
Së fundmi, ai bashkë me ekipin e tij arritën të nxirrnin mbi sipërfaqe shishe qelqi nga një anije mallrash që u mbyt më 1895 në brigjet skoceze, pas një përplasjeje me një anije tjetër, si pasojë e mjegullës së madhe. Anija Wallachia, e nisur nga Glasgou, ishte e mbushur me ngarkesa, duke përfshirë kontejnerë të mëdhenj me mijëra shishe pije alkoolike. Shumë prej tyre janë ruajtur në ujin e ftohtë, ku anija qëndronte në shtratin e detit prej më shumë se një shekulli.
Eksploruesi Hickman, ka realizuar zhytje të shumta në këtë vend, duke marrë dhjetëra shishe që përmbanin uiski, xhin dhe birrë. Por vizita e tij e fundit, çoi në zbulimin e diçkaje të pazakontë. Shishet që ai dhe ekipi i tij morën iu dorëzuan shkencëtarëve në një firmë kërkimore të quajtur Brewlab, të cilët, së bashku me kolegët nga Universiteti i Sunderland, ishin në gjendje të nxirrnin maja nga tre prej shisheve të birrës. Ata më pas e përdorën atë maja në një përpjekje për të rikrijuar birrën origjinale.
Në vitin 2018, një projekt i ngjashëm përdori maja nga shishet e birrës 220-vjeçare, të gjetura në një anije për të përafruar një pije nga vitet 1700. Por ky rast zbuloi një surprizë. Ato birra përmbanin një lloj majaje të pazakontë dhe ekipi që qëndron pas punës po vlerëson se kjo maja jo vetëm do të jetë në gjendje të rikrijojë shijen e vjetër të birrës, por madje mund të përmirësojë birrat sot. Ekipi mendon se kombinimi i dy majave që u gjetën në birrën 126-vjeçare ndoshta mund të frymëzojë risi në industrinë e birrës sot.