Aktualitet Shpërthimi në hotel, flet i afërmi i familjes Gjoka: Ndezën bombolën për...

Shpërthimi në hotel, flet i afërmi i familjes Gjoka: Ndezën bombolën për të pirë kafe, si i gjeta të plagosurit

Katër anëtarë të familjes Gjoka mbetën të plagosur pas shpërthimit të bombolës së gazit në një hotel në Velipojë të Shkodrës.

Mësohet se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 06:40 dhe të plagosur nga kjo ngjarje janë Alketa Gjoka, 40 vjeçe; Danjela Gjoka, 19 vjeçe; Klarisa Gjoka, 15 vjeç dhe Enriko Gjoka, 12 vjeç.

Një i afërm i tyre ka treguar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja. Ka qenë një prej pjesëtarëve të familjes që është ngritur në mëngjes dhe ka nisur të bëjë një kafe. Në momentin që ajo ka ndezur një bombol të vogël ka ndodhur shpërthimi. Dyshimet janë për rrjedhje gazi.

“Unë pata dalë poshtë me ble bukë. Kur vij këtu i gjej të gjithë në pishinë. Janë çuar natë me bërë një kafe. Sa ka ndez bombolën e gazit të voglën ka shpërthyer. Siç duket këto bombolat e vogla mos kanë pasur ndonjë rrjedhje dhe gazi e ka bërë këtë punë”, tha ai.

Shpërthimi në Velipojë ka qenë shumë i fuqishëm dhe ka lënë dëme të konsiderueshme duke shkatërruar çdo gjë në katin e parë ku ndodhej restoranti.