Aktualitet Para se të vriste Karolinën, piloti grek i kërkoi mijëra euro ish-vjehrrës

Para se të vriste Karolinën, piloti grek i kërkoi mijëra euro ish-vjehrrës

Babis Anagnostopulos, piloti grek që vrau bashkëshorten e tij 20-vjeçare Karolina me origjinë britanike, i kishte marrë disa mijëra euro ish-vjehrrës së tij.

Mediat britanike po e ndjekin me intensitet ngjarjen e rëndë që tronditi Greqinë para më shumë se 1 muaji. Sipas The Sun, piloti grek kishte marrë 20 mijë euro nga vjehrra e tij disa ditë para se të vriste Karolinën. 32-vjeçari kishte kërkuar paratë, por nuk është e qartë ende arsyeja përse.

Edhe për varrimin e bashkëshortes së tij 20-vjeçare, të cilën e vrau vetë, u kishte kërkuar prindërve të Karolinës 4 mijë euro për ceremoninë mortore; 2 mijë euro për shpenzimet e transportit të trupit dhe 2 mijë euro për arkivolin.

Ndërsa mediat e Athinës kanë hedhur dyshimet se Babis Anagnostopulos ishte i përfshirë në trafik droge, bazuar edhe në faktin se çifti bënte shpenzime të mëdha dhe jetesë luksoze. Mendohet se Karolina e kishte kuptuar ku ishte përfshirë Babis dhe për këtë arsye ai e vrau.

Piloti grek kishte ngritur fabulën e një vrasje nga grabitësit dhe për 1 muaj heshti me gjakftohtësi dhe gënjeu policinë, prindërit e bashkëshortes dhe opinionin publik. Deri sa hetuesit grekë e kryqëzuan dhe ai u detyrua të dorëzohej përballë fakteve, provave dhe punës së mirëorganizuar policore dhe hetimore.

Një zyrtar i policisë greke ka thënë për një televizion të Athinës se nuk mendon që vrasja të jetë kryer gjatë një konflikti të çastit, por ka qenë e paramenduar.