OBSH e konsideron të nxituar lehtësimin e masave anti-COVID në shumë vende të botës, ku infektimet kanë pësuar rënie. Drejtuesit e Organizatës thonë se në vjeshtën e këtij viti rrezikon të përsëritet kriza e vitit të kaluar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje vendeve të botës të bëjnë kujdes me lehtësimin e masave anti-COVID. Kreu i emergjencave pranë kësaj organizate, Majk Rajan thotë se shumë vende kanë një nxitim të parakohshëm për lehtësimin e masave, ndaj dhe u kujton vitin e kaluar.
“Kujtoni verën e kaluar, kur gjithçka shkoi mirë dhe më pas, erdhi shtatori e tetori dhe përfunduam me vështirësi të mëdha”.
Rajan paralajmëron se një krizë si ajo e vjeshtës së kaluar mund të përsëritet sërish, sidomos kur në qarkullim është një variant edhe më i ashpër, si Delta. OBSH kërkon përshpejtimin e ritmeve të vaksinimit, pasi sipas ekspertëve të kësaj organizatave, vetëm imunizimi masiv i popullatës globale mund ta ndërpresë zinxhirin e përhapjes së COVID-19.
Presidentja e Komsionit Europian Ursula von der Lajen tha këtë të Martë se BE i ka kapacitetet për të përshpejtuar procesin, duke shprehur bindjen se brenda këtij muaji do të përmbushet objektivi i vaksinimit të 70% të të rriturve.