Pas lajmit se ka dy raste të dyshuara me variantin Delta të Cvoid-19 në qytetin e Gjirokastrës dhe të Përmetit, ka reaguar Instituti i Shëndetit Publik duke shpjeguar se deri më tani ky variant nuk është identifikuar në vendin tonë.
Gjatë gjithë ditës së mërkurë në rrjet ka qarkulluar lajmi se një studente e ardhur nga jashtë shtetit një dite me parë nga fshati “Asim Zeneli”, ka shfaqur komplikacione dhe simptoma të ngjashme me atë të tipit Delta dhe rasti i dytë është shënuar në Përmet te një person 45 vjeç i ardhur edhe ky nga jashtë Shqipërisë.
“Pavarësisht numrit të lartë të testimeve, nuk kemi sinjale për prezencën e këtij varianti në vendin tonë. Instituti i Shëndetit Publik po monitoron me kujdes situatën e epidemisë së Covid19 në vend dhe për çdo rast të dyshuar, do të bashkëpunojë me institucionet e referencës, gjë e cila është pjesë e praktikës së punës së këtij institucioni,” ka shkruar ISHP.