Seanca e sotme plenare është e fundit për këtë legjislaturë, por e fundit dhe për Gramoz Ruçin.
Me këtë rast, kryetari i Kuvendit mbajti një mesazh lamtumire para kolegëve të tij, ku falënderoi të gjithë ata me të cilët ka bashkëpunuar në 30 vite, pa dallim politik.
Në fund u shpreh se beson që në legjislaturën e ardhshme do të ketë një përfaqësim më të mirë të qytetarëve nga deputetët e rinj.
“Për rreth tre dekada në këtë sallë, gjysmën e kohës kam qenë në maxhorancë dhe gjysmën në opozitë. Por gjithmonë, në këtë sallë dhe përtej saj, në të gjithë jetën dhe karrierën time politike, kam bërë më të mirën për të sjellë zërin, nevojat e zgjidhjet për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse kanë votuar mua, partinë time apo kundërshtarët tanë.
Në garat zgjedhore kam konkurruar me dinjitet dhe sinqeritet. Në Kuvendin e Shqipërisë kam ardhur si shërbyes publik dhe kam kontribuar me përkushtim e integritet. Nëse nuk kam bërë më të mirën që prisnin qytetarët shqiptarë, kjo ka ndodhur jo se nuk kam dashur apo nuk kam ditur, por nuk kam mundur. Madje, do të thosha, nuk kemi mundur.
Jam i bindur se gjeneratat e reja të politikanëve dhe qytetarëve shqiptarë, gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë që do të vijnë në këtë sallë, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar, një vend më të mirë për të gjithë“, u shpreh Ruçi.