Drejtuesi i Bruklinit, Eric Adams ka fituar zgjedhjet paraprake brenda Partisë Demokrate për kryebashkiak të qytetit të Nju Jorkut pasi përqafoi pozicione politike të qendrës dhe premtoi të vendoste ekuilibrin e duhur midis luftës ndaj krimit dhe dhënies fund të padrejtësisë racore në polici.
Nëse zgjidhet, ish-kapiteni i policisë Adams do të ishte kryebashkiaku i dytë afrikano-amerikan i qytetit.
Ai triumfoi në një kamp të gjerë kandidatësh demokratë në garën e parë të madhe të Nju Jorkut ku u përdor votimi me zgjedhje të renditur. Rezultatet nga tabulimet e fundit të publikuara të martën treguan se ai kryesonte ndaj ish-komisioneres së shëndetësisë të qytetit Kathryn Garcia me 8’426 vota, ose pak më shumë se 1%.
“Ndërsa ka akoma disa sasi shumë të vogla votash për t’u numëruar, rezultatet janë të qarta: një koalicion historik, i larmishëm, prej pesë komunash të udhëhequra nga njujorkezë të klasës punëtore, na ka çuar në fitore në zgjedhjet paraprake demokrate për kryebashkiakun e Nju Jorkut”, tha Adams në një deklaratë.
Ai tha se po kandidonte për të “përmbushur premtimin e këtij qyteti të madh për ata që po përballen me vështirësi, që janë të nën-privilegjuar dhe të cilët janë të përkushtuar për një të ardhme të sigurt, të drejtë, të përballueshme për të gjithë njujorkezët“.
Adams do të jetë favoriti dominues në zgjedhjet e përgjithshme kundër zotit Curtis Sliwa, themeluesi republikan i organizatës “Guardian Angels”. Në qytetin e Nju Jorkut, demokratët mbizotërojnë ndaj republikanëve në raportin 7 me 1.