Nju Jorku u bë shteti i parë në SHBA që shpalli një gjendjen e katastrofës emergjente për të frenuar përshkallëzimin e dhunës së armëve të zjarrit që është shfaqur kohët e fundit.
Urdhri u nënshkrua nga guvernatori Andrew Cuomo.
Cuomo tha se strategjia do të trajtojë dhunën me armë si një krizë e shëndetit publik, sipas Reuters.
“Njerëzit po vdesin çdo ditë. Ne kemi vërejtur një problem që po përhapet në të gjithë shtetin dhe unë dua që të gjithë të kuptojnë se unë dua një reagim ndaj kësaj emergjence.”
Kjo, tha ai, do t’i ndihmojë njerëzit të kuptojnë seriozitetin e problemit. Miratimi i një urdhri që shpall gjendjen e “katastrofës emergjente” do të lejojë shtetin të financojë komunitetet lokale dhe të sigurojë burime shtesë për të filluar menjëherë luftën kundër dhunës me armë.
Vetëm në fundjavën e kaluar (kur u festua Dita e Pavarësisë Amerikane), më shumë se 50 njerëz u vranë nga armët në Nju Jork.
“Situata është aq e keqe sepse kur e shikon, më shumë njerëz po vdesin nga dhuna me armë sesa nga COVID-i”, tha Cuomo në një konferencë për shtyp.
Sipas kriminologut Richard Rosenfeld, niveli i vrasjeve për frymë u rrit me 30 përqind në vitin 2020 në 34 qytete të mëdha të SHBA.
Vrasjet në Nju Jork, Los Anxhelos dhe Çikago përbënin 40 përqind të 1,268 personave shtesë të vrarë në vitin 2020, krahasuar me vitet e mëparshme.
Në tremujorin e parë të vitit 2021, shkalla e vrasjeve ra lehtë krahasuar me verën, por është akoma 24 për qind më e lartë se në tremujorin e parë të vitit 2020.