Gjatë një vizite në Europë për të përkujtuar 100-vjetorin e fundit të Luftës I Botërore, Donald Trump i ka thënë shefit të atëhershëm të shtabit të tij, John Kelly: “Hitleri bëri shumë punë të mira”.
Një deklaratë tronditëse të cilën Michael Bender i “Wall Street Journal”, pretendon se ish-presidenti amerikan e ka bërë në vitin 2018. Bender ka publikuar një libër të ri, të titulluar “Sinqerisht, ne i fituam zgjedhjet”, ku zbulon detaje brenda administratës Trump.
Në libër, një kopje të të cilit gazeta britanike “The Guardian” ka siguruar para publikimit javën e ardhshme, thuhet se Kelly, i cili ka qenë pjesë e Marinës amerikane, po i mbante një leksion historie presidentit amerikan për palët që morën pjesë në Luftën e Madhe. Prej aty, thuhet në libër “ai bëri lidhjen mes Luftës I dhe Luftës II Botërore dhe veprimeve të diktatorit nazist”.
Bender është një prej pak gazetarëve dhe shkrimtarëve që kanë intervistuar Trump që prej largimit nga detyra. Dhe raporton se Trump e ka mohuar të ketë bërë një deklaratë të tillë. Megjithatë, Bender shkruan se “Kelly i tha Trump-it se pavarësisht rimëkëmbjes ekonomike të Gjermanisë në vitet e para të pushtetit të Hitlerit, nuk mund të thuhet ajo fjali për të”.