Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se varianti “Delta” koronavirusit nuk është identifikuar në Shqipëri, por gjithsesi situata është në monitorim.
“Kërcënimi Delta mbetet një kërcënim real, serioz edhe për vendin tonë, në një kohë kur po qarkullon në 90 vende të botës dhe ashtu sikurse evidencat tregojnë, ka një përhapje të shpejtë, të egër, edhe në disa vende europiane edhe në vendet e rajonit. Strukturat tona janë në situatë alerti, për të monitoruar të gjitha rastet. Aktualisht nuk kemi një prezencë të këtij varianti në Shqipëri, pra nuk kemi sinjale laboratorike që tregojnë që ky variant po qarkullon në vendin tonë, por ne jemi duke monitoruar çdo rast, me shumë kujdes”, tha Manastirliu në Kuvend.
Ministrja shtoi se është arritur një tjetër marrëveshje me Pfizer për 23400 doza vaksine, një tjetër hap në përpjekjet e qeverisë, siç tha ajo, për t’i dhënë mundësinë çdo qytetari për t’u vaksinuar.
“Ne presim shumë shpejt, gjatë muajve korrik-gusht mbi 400 mijë doza të vaksinave që do të mbërrijnë në kuadër të kontratave ekzistuese. Ndërkaq me aktin që miratojmë sot në Kuvend, do të bëjmë të mundur që të vijnë edhe 23,400 doza të vaksinës Pfizer, si pjesë e instrumentit Covax, ku Shqipëria është pjesë që në krye të herës”, bëri me dije Manastirliu.
Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani 1 120 070 doza vaksine ndaj COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1 000 063 vaksinime, ndërsa 423 158 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.