Policia Rrugore vijon kontrollet intensive në rrugët interurbane dhe në qendrat e banuara, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
Gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit, nga Policia rrugore e Tiranës, në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan janë konstatuar shpejtësi nga 166 km/h deri në 200 km/h. Dy drejtues mjetesh nga Maqedonia e Veriut, shtetasit A. H. dhe E. Sh. u konstatuan duke qarkulluar me mjetet e tyre me shpejtësi 166 km/h, ndërsa shtetasi H. H. nga Kosova u konstatua duke drejtuar mjetin me 200 km/h, në Tiranë-Elbasan.
Nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në rrugën urbane Fier-Vlorë, është konstatuar shtetasi A. M., nga Tirana, rezident në Gjermani, duke drejtuar metin me 186 km/h.
Në pranga 21-vjeçari në Laprakë
Falë telefonatave të qytetarëve, Policia Rrugore e Tiranës bëri të mundur parandalimin e një ngjarjeje rrugore, pasi në Laprakë, drejtuesi i një mjeti tip “Audi”, shtetasi G. S., 21 vjeç, kryente manovra të rrezikshme në rrugë, duke rrezikuar seriozisht jetë e këmbësorëve. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë reaguar menjëherë dhe në sheshin “Karl Topia” kanë konstatuar dhe ndaluar automjetin që kryente manovra të rrezikshme në rrugë. Gjatë verifikimit të dokumentacionit, 21-vjeçari rezultoi i papajisur me leje drejtimi.
Menjëherë është bërë arrestimi i tij në kushtet e flagrancës, për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si dhe është ndëshkuar me 20.000 lekë të rinj, për manovrat e rrezikshme në rruge. Gjithashtu është ndëshkuar me 100.000 lekë të rinj dhe pezullim të lejes së drejtimit për 12 muaj, pronari i mjetit “Audi”, pasi ia kishte besuar mjetin 21-vjeçarit, edhe pse ky i fundit nuk ishte i pajisur me leje drejtimi.
Po falë denoncimeve të qytetarëve te Komisariati Dixhital dhe në numrin 112, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative dhjetëra drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara e të rrezikshme apo xhirime gomash në rrugë.
Arrestohen në flagrancë 10 drejtues mjetesh
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë 10 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë pezulluar gjithsej 45 leje drejtimi, nga të cilat 36 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 9 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 2369 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mospërdorim të rripit të sigurisë, për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, për parakalime të gabuar, si dhe 111 masa për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.