Kreu i PD-së Lulzim Basha përsëriti se zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit për partinë e tij nuk mund të quhen kapitull i mbyllur dhe se ajo do ta çojë deri në fund betejën për hetimin e krimeve zgjedhore.
Deklaratën e tij Basha e bëri pas një takimi me ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë.
“Për ne BE do të thotë votë e lirë, pavarësi e institucioneve, liri dhe pavarësi e mediave, ndarje e politikës nga krimi dhe luftë ndaj korrupsionit.
Pa këto nuk mund të ketë as zhvillim, as integrim dhe as demokraci. 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe për Partinë Demokratike nuk mund të quhet një kapitull i mbyllur.
Prandaj ne do të kërkojmë deri në fund hetimin e krimeve zgjedhore, ndëshkimin e fajtorëve dhe kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend”, tha Basha.
Më herët përmes një postimi në “Twitter” ambasadori i BE Luigi Soreca shkroi se pati një diskutim të gjatë me kryedemokratin, ku në fokus ka qenë situata aktuale politike pas zgjedhjeve të 25 prillit, integrimi i Shqipërisë në BE, si dhe Reforma në Drejtësi.
Vetë Basha tha se pati “Diskutime të frytshme sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian”.
“Integrimi Europian i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike, ndaj do të bëjmë gjithçka që vendi ynë të eci përpara në këtë rrugëtim kaq të rëndësishëm për qytetarët tanë“, tha kreu i PD.