Kur e gjithë vëmendja ishte përqendruar te sfida e Europianit mes Anglisë dhe Danimarkës, 1100 forca të policisë dolën në të njëjtën kohë në terren me synim goditjen e rasteve të organizimit të basteve të paligjshme.
Në një operacion të koduar “Gjysmëfinalja” që përfshiu 12 qarqe të vendit u përfshinë Sektorët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në çdo drejtori policie, Forca e Posaçme “Shqiponjat”, Patrullat e Përgjithshme, por edhe disa grupe të FNSH-së të koordinuara nga departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Në të gjithë vendin u kontrolluan 656 ambiente në të cilat dyshohej se mund të ushtrohej aktiviteti i kundërligjshëm i lojërave të fatit, kryesisht në fushën e basteve.
Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 35 persona, nga të cilët 19 në Tiranë, 6 në Vlorë, 5 në Shkodër, 2 në Durrës dhe nga 1 në Bulqizë, Fier e Korçë.
Në gjendje të lirë u proceduan edhe 18 persona të tjerë që kishin marrë pjesë në vënie bastesh. Policia tha se sekuestroi 15 kompjutera, 5 makineta për lojëra fati, 16 tableta që shërbenin për vënie bastesh, 8 tavolina pokeri, 15 DVR, 41 aparate celularë, 5 milionë lekë dhe prova të tjera materiale.