Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Zegjine Sollaku, gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Gjyqtarja Sollaku nuk mundi të kalojë kriteret e Vettingut. Ajo nuk justifikonte dot pasurinë dhe kishte pasaktësi në deklarimin e saj.
Bëhet fjalë për një shumë prej 7 milionë Lekësh, para të cilat nuk i justifikonte duke iu referuar burimit të të ardhurave.
Vendimi
Zegjine Sollaku është bashkëshortja e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku.
Gjyqtarja Sollaku u përball më herët gjatë javës me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan mungesa financiare për pasurinë.
Gjyqtarja u mbrojt në seancë nga bashkëshorti i saj avokat, ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, i cili i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për pasurinë.
Zegjine Sollaku ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka punuar si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës në vitet 1992-2003.
Prej vitit 2003, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Procesi i saj i Vettingut u krye nga trupa e drejtuar nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtarë Suela Zhegun.
Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Gjatë relatimit u konstatuan pasaktësi në deklarime dhe mungesa të burimeve financiare në vlerën e 7 milionë lekëve. Sollaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u konstatuan probleme domethënëse në kriterin profesional.
Gjatë seancës dëgjimore u relatuan pamundësi financiare për të justifikuar investimet e kryera në blerjen e gjashtë apartamenteve dhe të një autoveture.
Ndërkohë, për një apartament dhe një shtëpi private në Fier të trashëguar nga vjehrri i subjektit dhe një makinë tjetër ka rezultuar se bashkëshortët Sollaku kanë pasur burime të mjaftueshme financiare.
Avokati Sollaku i kundërshtoi balancat negative të Komisionit. Ai paraqiti një përmbledhje të bilanceve të të ardhurave dhe shpenzimeve të tij që nga viti 1991 e në vijim, duke pretenduar se kishte pasur burime të mjaftueshme dhe të ligjshme për krijimin e pasurive.