Ambasada amerikane në Beograd, tha të enjten se drejtësia për tre vëllezërit Bytyçi, shtetas amerikanë, të vrarë në vitin 1999, është përparësi në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të harrojnë vrasjen e tyre.
Në një komunikatë të ambasadës amerikane thuhet se kanë kaluar njëzet e dy vjet që kur tre amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, u zhdukën ndërsa ishin në paraburgim në policinë e posaçme serbe.
Të tre vëllezërit Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë. Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.
“Ne nuk mund dhe nuk do ta harrojmë këtë krim. Drejtësia për vëllezërit Bytyçi dhe familjen e tyre dhe llogaridhënia për ata që I kanë kryer dhe mbuluar vrasjet e tyre, mbetet një përparësi në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara përsëri u bën thirrje autoriteteve serbe, të cilët kanë premtuar të ndihmojnë në këtë rast ndër vite, për një hetim të plotë. Kjo çështje, dhe shumë të tjera, ilustrojnë nevojën urgjente që Serbia të zgjidhë çështjet e pazgjidhura të krimeve të luftës dhe të përqendrohet në forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet mes tjerash në komunikatën e ambasadës amerikane.
Në dhjetor të vitit 2018, Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe, Goran Radosavleviç – Guri, ndaj të cilit, siç thuhej në njoftim, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
Më 30 qershor, autoritetet serbe shënuan “ditën e Xhandarmërisë” dhe përgjatë manifestimeve u nda medalje për Goran Radosavleviç – Gurin, që është pjesë e partisë së presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes./VOA