Është ulur për herë të parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut” avioni nga Zyrihu i Zvicrës.
Ky është fluturimi i parë zyrtar nga Zyrihu për në Kukës nga kompania ajrore zvicerane Helvetic Airlines, që pas hapjes së aeroportit.
67 pasagjerë kanë mbërritur në Kukës rreth mesditës së sotme.
Ata janë mirëpritur nga stafi i linjës ajrore pas udhëtimit që zgjati 1 orë e 45 minuta.
Më herët kryeministri Edi Rama e konsideroi si portën e dytë të qiellit të Shqipërisë për fluturimet komerciale.
Avioni i parë në aeroportin e Kukësit u ul më 18 prill, vetëm pak ditë para mbylljes së fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit që i besuan mandatin e tretë qeverisës në fuqi.
Aeroporti Kukësit ka një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e vrojtimit, ndërsa në pjesën e pistës, është projektuar të mbajë 3 avionë njëkohësisht, ndërsa brenda një ore, 4 avionë mund të nisen. Terminali zë një faqe prej 3500 m2, ka 2 portat hyrëse dhe brenda saj edhe një zonë muzeale në përkujtim të luftës së Kosovës, e cila ishte edhe pikënisja e këtij aeroporti, si dhuratë e Emirateve të Bashkuara për të pritur ndihmat për refugjatët.