Kryeministri Edi Rama, në një takim me kryebashkiakët e vendit, u bëri thirrje që të mos ndikojnë me pushtetin e tyre në favorizimin e njërës apo tjetrës palë në prokurimet publike, pasi, sipas tij, do të përballen me SPAK-un.
“Ju sugjeroj shumë dashamirësisht të mos ndikoni me pushtetin tuaj në favorizimin e njërit apo tjetrit në prokurimet publike. Mos luani me një zjarr që do të bëhet përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do të ketë mbështetjen time të plotë. Nga 61 bashki, 47 prej tyre, procedurat e prokurimeve publike i bën me vetëm një operator ekonomik. Në çdo rast që do të ketë dyshime për tendera korruptivë, kryebashkiakët do të përballen me SPAK-un për të dhënë shpjegime. Mund të jetë kushdo prej jush, por jo unë dhe Partia Socialiste. Të gjitha procedurat me negocim, pa shpallje, do t’i nënshtrohen hetimit administrativ”, deklaroi Rama.
Kryeministri solli edhe disa raste të problematikave të procedurave të prokurimit publik në të gjitha bashkitë e vendit.
“Ja problematikat kryesore në procedurat e prokurimit publik për 2020-2021. Nga Janari 2020 në Prill 2021 janë asistuar nga Agjencia e Prokurimit Publik plot 1275 procedura të publikuara në SPE nga institucionet bashkiake. Asistenca e APP është asistencë teknike e cila i vjen në ndihmë çdo autoriteti kontraktor që ka vesh për të dëgjuar, sy për të parë dhe tru për të kuptuar. 88.5% e procedurave ka rezultuar me problematika në hartimin e kritereve. Për këtë arsye bashkive u janë dërguar rekomandime precize nga APP. 52.5% e bashkive nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim në proces të rekomandimeve teknike të APP. Është fakt se hartimi i kritereve të veçanta, apo qepja me dorë e procedurës së tenderit e cënon direkt shkallën dhe nivelin e pjesëmarrjes dhe drejtësinë e konkurrencës së operatorëve ekonomikë.
Është një teknikë grabitqare, e shëmtuar, përjashtuese. Nga shqyrtimi i të dhënave në lidhje me numrin e ofertave të paraqitura për Janar-Prill 2021 dhe gjithë 2020 rezulton se mesatarja e numrit të ofertave është vetëm 2.1. Nga hetimet administrative rezulton se pas hetimit të 136 procedurave të prokurimit janë konstatuar përzgjedhje të pajustifikuara të procedurës me negocim pa shpallje paraprake të kontratës, probleme të fondit limit, kualifikim dhe shpallje fitues nga operatorë ekonomikë që nuk plotësojnë kriteret e kualifikimit dhe janë dënuar me gjobë 156 punonjës dhe masë disiplinore 602 punonjës. Do kalohet pa ngurrim nga dënimet me gjobë në denoncimet në SPAK në çdo rast kur shkeljet përbëjnë dyshim shumë të arsyeshëm për tender korruptiv dhe do të jetë kushdoqoftë prej jush, unë shpresoj askush, por jo unë as PS që do shkojë para hetuesve të SPAK për të dhënë shpjegime”, deklaroi Rama.