Një nga studiueset kryesore të kompanisë që prodhonte vaksinën kineze Sinovac në Indonezi, ka ndërruar jetë, me shumë mundësi nga pasojat e COVID-19.
Bëhet fjalë për Novilia Sjafri Bachtiar, e cila ndërroi jetë pa mbushur ende 50 vjeç. Lajmi tronditi vendin aziatik me 270 milionë banorë, dhe ministri Erich Thohir, i njohur në Europë si aksionisti kryesor i ekipit të Interit disa vite më parë, foli për një ”humbje të madhe”, ndërkohë që bilanci i pandemisë në vend po përkeqësohet.
Për herë të parë gjatë javës është kaluar pragu i 1 mijë viktimave në 24 orë, me pothuajse 35 mijë raste të reja. Në pavijonet e tejmbushura, vetë personeli shëndetësor flet për një vështirësi për të gjetur oksigjen.
Fakti që vendi është vaksinuar në pjesën më të madhe me vaksinën kineze Sinovac, së bashku me rastet e shtuara në vende të tjera në vende si Kili, Sejshellet etj., që përdorin vaksina kineze, ka hedhur sërish dyshime mbi efikasitetin e “armës” kineze kundër COVID-19, veçanërisht për sa i përket rasteve të rënda ose vdekjes.
Gjithsesi, studiuesit shtynë për të bërë një analizë më të gjerë. Edhe në shtetet që përdorin Sinovac, pjesa më e madhe e viktimave kanë qenë të pavaksinuar ose vetëm me dozën e parë.
Por epidemiologët thonë dhe që ky tip vaksine edhe pse ka një impakt të mirë në uljen e rasteve të rënda, nuk është ende perfekt dhe veçanërisht ndaj varianteve të fundit si ajo Delta, mund të ketë nevojë për një dozë të tretë.