Abuzimet me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit kanë çuar në pranga 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme ndërsa një tjetër është lënë në arrest shtëpie.
Me urdhër të SPAK është vënë në pranga ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila vetëm dy javë më parë u shkarkua nga kjo detyrë me urdhër të ministrit Bledi Çuçi.
Të arrestuarit e tjerë janë anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj.
Në arrest shtëpie është lënë Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit. Ata akuzohen për “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Këtë të shtunë forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle edhe në banesat e të arrestuarve. Sipas SPAK në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.
Tenderi me vlerë 2.8 miliardë lekë që do të siguronte uniforma për policinë për 4 vjet i mbyllur në 11 Maj 2020 u fitua nga bashkimi i kompanive D&E sh.p.k ndërsa dy firma të tjera që kishin marrë pjesë në garë u skualifikuan. Ato bënë ankesë, por pretendimet e tyre u rrëzuan.
Në 3 Gusht të një viti më parë deputetët Myslym Murrizi dhe Halit Valteri bënë një kallëzim në SPAK duke pretenduar se fituese ishte shpallur një kompanie gërmimesh që nuk kishte lidhje me rrobaqepësinë. Prokuroria e Posaçme nisi hetimet që u mbyllën me arrestimet e kësaj të shtune.