Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e së shtunës në aksin rrugor Gramsh-Kërpiçë. Një minibus i linjës i mbushur me pasagjerë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në greminë. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një person.
Viktima është një 30-vjeçar me iniciale L.L., nga fshati Terrovë i Skraparit, i cili po udhëtonte si pasagjer në minibus. Të plagosur nga ngjarja kanë mbetur 9 persona të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën për momentin. Ata janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme.
Nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë, por mendohet se shoferi ka humbur kontrollin dhe mjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë është rrokullisur disa herë deri sa ka rënë në greminë.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, zjarrfikësit dhe ambulanca, të cilët kanë ndihmuar në transportimin e të lënduarve drejt spitalit të Gramshit. Policia po vijon hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:15 dhe mjeti drejtohej nga shtetasi A.Xh., banues në Gramsh.