Në mënyrë logjike, gjatë pandemisë dhe karantinës, kudo në botë veshjet e mbrëmjeve dhe eventeve, ato të klubeve të natës – ose ngecën në dollapë ose në rastet e dyqaneve. Megjithatë, shpenzimet për veshje (dhe produkte të tjera) vazhduan të rriteshin. Atëherë, çfarë blenë më shumë shqiptarët?
“Për industrinë e veshjes nuk ishte më çështje shije dhe mode, por blerjet e veshjeve u kthyen në nevojë, si rezultat i ndryshimeve në stilin e jetesës që solli pandemia, ku një pjesë e mirë e vendeve aplikoi karantinën, zyrat u boshatisën duke i lënë vend punës nga shtëpia (aty ku ishte e mundur), jeta e natës dhe eventet sociale u zhdukën nga axhendat. Vetvetiu, të gjithë e gjetën veten me dy “uniforma” standarde, veshjet komode të shtëpisë dhe ato sportive (edhe në shtëpi) edhe për udhëtimet në natyrë, parqe, male sa më larg ambienteve miqësore ndaj Covid-19“, shkruan revista Monitor.
Edhe pse në Shqipëri mbyllja nuk ishte aq drastike, apo aq e madhe në kohë sa ajo e shumë vendeve të Europës, përsëri mjaftoi që edhe në vend të kishte ndryshime të dukshme në stilin e veshjes si dhe në mënyrën se si njerëzit shpenzojnë për veshje. Bizneset konfirmojnë se gjatë kësaj periudhe, veshjet sportive dhe ato të stilit “casual” nuk kanë qenë sektorë veshjesh të prekur nga pandemia. Përkundrazi, në një pikë – këto veshje kanë qenë më të shiturat. Kjo, edhe duke marrë parasysh faktin se pandemia nxiti një jetë më aktive. Gjatë karantinës njerëzit stërviteshin në shtëpi dhe më pas, bënin ecje në natyrë e male, pra në “ajër të pastër”. Fakti që njerëzit po shkojnë drejt veshjeve të rehatshme dhe sportive, është ndoshta edhe tregues i ndërgjegjësimit për një jetesë më aktive dhe më të shëndetshme.
Nga ana tjetër, mbyllja e kufijve rriti dhe blerjet brenda vendit.
Një sektor veshjesh pati rënie: Fëmijët!
Tanimë duket si një traditë e bërë me marrëveshje që thotë se fillimi i shkollës vjen patjetër me rroba të reja. Megjithatë, shkolla online ka bërë që prindërit të mos blejnë veshje “për ditën e parë” dhe të mos blejnë shumë veshje fëmijësh në tërësi.
Gjithashtu, edhe linja produkti si valixhet dhe çantat e udhëtimit, për një kohë shumë të gjatë kanë qenë sektorë “të ngrirë”, ndonëse gjatë muajit maj është vënë re një tendencë në rritje edhe për to.
Burimi: Monitor