Racizmi ndaj tre lojtarëve anglezë, që humbën penalltitë (Rashford, Sancho e Saka) ishte një nga notat më të errëta të finales së humbur për Anglinë. Shumë personazhe kanë ngritur zërin kundër ofendimeve dhe diskriminimit për shkak të ngjyrës së lëkurës, në një kohë që policia e Londrës ka hapur një hetim për të evidentuar postimet raciste kundrejt tre lojtarëve në rrjetet sociale.
Në lidhje me këtë temë delikate ka folur edhe kryeministri, Boris Johnson, i cili ka dënuar çdo akt të tillë të shëmtuar.
“Atyre që kanë ofenduar me shprehje raciste lojtarët tanë u them që duhet t’u vijë turp nga vetja. Shpresoj që të riktheheni duke u zvarritur nga shpellat ku keni dalë, sepse kjo skuadër është një skuadër heronjsh.”
Ndërkohë edhe trajneri Gareth Southgate i dënoi ashpër sulmet raciste, duke i konsideruar si të pafalshme.
Në lidhje me këtë situatë aspak të këndshme, sidomos për një vend multi-etnik është shprehur në rrjetet sociale dhe një prej lojtarëve që ka qenë në shënjestër të sulmeve të turpshme, Marcus Rashford.
“Kam pasur një sezon të vështirë, këtë e kishin të gjithë të qartë, dhe sigurisht, kur hyra në fushë nuk kisha shumë besim tek vetja. Ajo që mund të them është që më vjen keq, do të kisha dashur të përfundonte në një tjetër mënyrë. Do të kisha dashur ta shënoja atë penallti. Dua t’u them shokëve të skuadrës që kjo përvojë me ta ishte shumë e bukur dhe u krijua një atmosferë vëllazërore. Suksesi i tyre është imi dhe dështimi i tyre është gjithashtu imi. Futbolli është kthyer në një sport ku mund të dëgjosh çdo gjë. Flitet për ngjyrën e lëkurës time, për vendin ku jam rritur, si e kaloj kohën e lirë. Mund të më kritikoni sa të doni për penalltinë e humbur, por kurrë nuk do të kërkoj falje për prejardhjen time. Jam Marcus Rashford, 23 vjeç, djalë më ngjyrë nga Withington në jug të Manchesterit”.