Opinione Ismail Kadare, Gjergj Kastrioti dhe…sulmi ndaj gjithçkaje Perëndimore në historinë tonë

Ismail Kadare, Gjergj Kastrioti dhe…sulmi ndaj gjithçkaje Perëndimore në historinë tonë

Nga Spartak Ngjela

Sot në Shqiperi po sulmohet gjithçka perëndimore: në historinë tone përgjithësisht dhe – kundër Gjergj Kastriotit si hero kombëtar; kunder Rilindjes Kombëtare; kunder Vaso Pashës; kundër Fan Nolit; kundër Ismail Qemalit; dhe, tani së fundi, edhe kundër Ismail Kadaresë, sepse ai është sot, pa dyshim, një përfaqësues adamantik i kulturës dhe qytetërimit perendimor në Shqipëri.

Po cilët janë këta?

Nuk duhen përfillur, sepse nuk përfaqësojnë gjë. Janë të nxitur nga paaftësisia e tyre sepse iu mungon forca kreative.

Po për këtë, Ismail Kadarea ua ka fajin?

Për këtë nuk ua ka fajin gjithashtu as Fan Noli, as Vaso Pasha dhe as Naim Frashëri.

Ismail Kadare i paska bërë një letër Enver Hoxhës…

Tani po shohim të botuar në shtyp një letër që një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës në rrafsh botëror, i paska shkruar tiranit më mizor të kohës, po në rrafsh botëror.

Dhe?

Sipas kohës duhej të shkonte minimumi në burg, sepse tirani, për një shkrimtar të atij niveli parapëlqente litarin.

Ateherë?

Kadarea duhej të kishte “shkuar në litare vetë”, që tani t’i këndohej një këngë, dhe aq,

Po ç’janë këta heronj që na u fshehën skutave nga tirani, dhe mirë bënë, por që tani na kërkokan heroiken!

Ore njerëz! a e dini ju se kush ka qënë Enver Hoxha? Vërtet e dini lider humanist që qante për një zog të vrarë? E dini që shkrimtari më i madh i kohës, i ka shkruar një letër tiranit më mizor të kohës, për të shpëtuar motrën e tij, dhe t’i hiqte atij edhe dyshimin e patologjisë së tij për vetë shkrimtarin?

Dhe kjo na i errësoka veprën e tij? Po a e dini ju sesa frikë ka pasur Enver Hoxha nga Ismail Kadare! Sepse kurrë nuk ia fali vetes dhe Sigurimit që e lejoi Kadarenë të botonte Generalin ne Francë.

Ismail Kadarenë nuk e ka shpëtuar as letra e tij, dhe as ato që ka shkruar i detyruar për tempin zyrëtar të një kohe tiranike: Ismail Kadarenë e shpëtoi fama e tij në Francë dhe në Perëndim. Se për spiunët që e ndiqnin këtu gjithë ditë, Kadare do të ishte ekzekutuar me kohë.

A e dini që, për vdekjen e tiranit, në vitin 1985, shkrimtari më madh i letrave shqipe nuk shkroi asnjë rresht!
Nuk mund të shkohet në Perëndim pa vlera kombëtare perëndimore, dhe ne, një që kemi gjallë: mos na duhet t’ia japim ose Enver Hoxhës, ose Stambollit, që do të ishte e njëjta gjë?

Por ama, unë që po shkruaj këto rreshta jam i sigurt kur them se këtë e kërkojnë të gjithë ata që në dy shekuj kanë dashur të zhbëjnë me asimilim dhe me genocid popullin shqiptar; që na kanë thënë turq të ardhur, por që nuk na zhdukën dot gjuhën. Dhe Ismail Kadare ka hyrë në histori si lëvrues i madhe i gjuhës moderne shqipe dhe – sigurisht që do të vijojë të luftohet për këtë.

Por, nga kush?

Ah, “këtu gjithçka ngec”, na ka thënë Shekspiri: ata duhet që domosdoshmërisht të jenë në një nivel me të. Ky patjetër që është kusht; se shqip di të shkruajë edhe një gjimnazist, sigurisht.

Nejse, unë këto rreshta nuk i shkrova që të mbroj një figurë historikë e cila ka, që në vitin 1970, që është figurë qëndrore në analet e kulturës, letërsisë, socilogjisë dhe politikës së lartë perëndimore: që nga Parisi e deri në New York; e që nga New Yorku në Londër e në Berlin. Por i shkrova për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar, se dinjiteti kombëtar është një nevojë panshqiptare sot, dhe natyrisht që është edhe nevoja ime.

Xhelozia duhet duruar. Suksesi perëndimor nuk është nje gjë e lehtë. Gjithsesi, ata që e aspirojnë, dhe nuk e arrijnë dot si e ka arritur Ismail Kadare, le të vijojnë rrugën e mundimshme të dijes dhe shpërthimit të talentit; se ka ende shumë vend në detin e madhe të qytetërimit perëndimor, dhe Ismail Kadarea nuk ua ka mbyllur derën e shqiptarëve drejt vlerave perëndimorë, perkundrazi.