Extra Përse kjo zonë në shtetin fqinj ka marrë emrin “Maldivet e Italisë”

Përse kjo zonë në shtetin fqinj ka marrë emrin “Maldivet e Italisë”

Me sa duket nuk kemi nevojë të shkojmë në tropik për të gjetur plazhe me rërë të butë dhe ujëra të kristaltë. Salento, në bazë të takës së Italisë, i ka të gjitha.

Salento ka fituar titullin “Maldivet e Italisë” falë peizazheve përrallore përgjatë bregdetit të tij. Pjesë e rajonit administrativ të Pulia-s, ai lëvdohet me trashëgiminë e pasur kulturore, të ndikuar nga një ndërthurje kulturash, të cilat kanë lënë shenjën e tyre ndër shekuj.

I gjendur mes Detit Adriatik në lindje dhe Detit Jon në perëndim, edhe pse është një gadishull relativisht i vogël (100 km i gjatë dhe 40 km i gjerë), dy brigjet ndarëse janë goxha ndryshe nga njëri tjetri.

Bregdeti Jon

‘Maldivet’ ndodhen në anën e Jonit. Disa nga pikat më mbresëlënëse janë Punta Prosciutto, Pescoluse, Parku Natyrorë i Punta Pizzo-s dhe Porto Selvaggio-s, ku deti takohet me dunat e rërës të mbuluara nga shkurre të gjelbëruara që gjenden kudo nëpër Mesdhe.

Torre Sant Andrea, Plazh në Salento, Itali.

Ndërsa Porto Cesareo është pjesë e rezervuarit detar që është perfekt për sportin e zhytjes pasi shtrati detar ka karakteristika sub-tropikale dhe kafshë që në përgjithësi gjenden në ujëra më të ngrohta. Përballë qytezës shihen disa ishuj natyrorë që janë të vendosur përballë njëri tjetrit, si Isola dei Conigli (Ishulli i Lepujve) i cili mund të arrihet me varkë apo edhe me not.

Një pikë e rëndësishme në anën perëndimore është Gallipoli, i cili është një nga ato vende që i ka të gjitha. Qendra e tij historike është një ishull i kthyer në një kështjellë e cila mund të arrihet me anë të një ure 500-vjeçare, me një rrjet të ndërlikuar rrugicash që duket sikur janë të ngrira në kohë.

Galipoli, Itali

Atraksionet kryesore janë një kështjellë mesjetare, Katedralja Shën Agata dhe Spiaggia della Purita (apo Plazhi i Dëlirësisë).

Dy detet takohen në Santa Maria di Leuca, e cila ndodhet në një nga ekstremitetet e Italisë. Pasi gjendet në pikën ku takohet perëndimi me lindjen, njerëzit vijnë në këtë bisht, të quajtur Punta Ristola, për të admiruar, ndër të tjera pamjet e mrekullueshme të perëndimit dhe lindjes së diellit.

Udhëtimet me varkë ju tregojnë pikërisht sa të ndryshme janë këto dy anë të këtij bregdeti, teksa gurët e vegjël në anën e detit Jon kthehen në shkëmbinj dramatik në detin Adriatik. Të dyja këto anë kanë shpella dhe disa prej tyre dikur, kanë qenë atdheu i njerëzve Paleolit, në kohën kur Mesdheu ishte tokë e thatë.

Arkeologët kanë zbuluar edhe gdhendje dhe mbishkrime nga epokat Greke dhe Romake, më së shumti nga marinarë që i kërkonin perëndive t’i mbronin gjatë udhëtimeve të tyre.

Prapa farit gjendet një bazilika, e cila dikur ka qenë tempull i perëndeshës Minerva, edhe pse thuhet se Shën Pjetri e ktheu në besimin e krishterë gjatë një pelegrinazhi për në Romë.

Bregdeti Adriatik

Në anën e Adriatikut të Salento-s, nuk ka ‘Maldive’ por gjithsesi zona është mbresëlënëse. Vija bregdetare e thepisur shndërrohet në shpella dhe shkëmbinj që duhen eksploruar me barka ose me anë të zhytjes. Pika më e njohur është Il Ciolo, një kanion që mund të shihet nga një urë 40 metra e lartë e cila funksionon edhe si platformë për këdo që ka kurajën dhe aftësitë për t’u hedhur.

Pishina natyrale e Grotta della Poesia (Shpella e Poezisë) ofron hedhje me lartësi më të ulët prej ‘vetëm’ 5 metrash. Mes shumë shpellave në anën lindore, Shpella Zinzulusa është më spektakolarja.

Otranto, Itali

Në këtë zonë të Salento-s do të gjeni kulla të shumta pas të cilave marrin emrat edhe plazhet e këtij rajoni, pas ndërtimit të tyre në shekullin e 15 dhe të 16 kur Salento ishte pjesë e Mbretërisë së Napolit.

Si pasojë e vendndodhjes gjeografike, Pulia është parë gjithnjë si një pikë strategjike mes Evropës lindore, asaj perëndimore dhe Afrikës, ndaj është dashur të mbrohet mirë ndaj pushtuesve.

Një tjetër destinacion i rëndësishëm në anën e Adriatikut është Otranto, një qytet i lyer në të bardhë me pamje nga deti me ngjyrë të kaltër.

Leçe dhe rrethinat përreth

Magjia e Salentos vazhdon edhe në brendësi të rajonit, të mbuluar nga pemët e ullirit, vreshtat e rrushit si dhe shtëpitë tipike. Këtu gjenden shumë qyteza me ndërtesa historike të ruajtura mjaft mirë, si Ostuni dhe Nardò, por qyteti i Leçes mbetet më i njohur dhe vërtetë nuk ja vlen të humbet.

Leçe është qyteti më i madh në Salento, shtëpi e universiteteve dhe muzeve të shumtë. I ndërtuar në stilin Barok, me gurë në trajtën e shkumësit që kanë nuanca të rozta nën dritën e diellit.

Ostuni, Itali

Këtu mund të gjeni edhe një amfiteatër, pikërisht në sheshin kryesor, i cili është gërmuar rreth 1 shekull më parë, pasi një studiues vendas kuptoi se kjo zonë është ndërtuar mbi rrënojat Romake.

Mes kishave të shumta në Leçe, ju sugjerojmë të mos humbisni Katedralen dhe Bazilikën, për të shijuar detaje të jashtëzakonshme të stilit Barok.

Po ushqimi?

Kuzhina vendase në Salento kombinon pastat, peshkun, frutat e detit, burrata (një lloj i djathit mocarela) si dhe zarzavatet që rriten në këtë zonë, si domatet, patëllxhanët dhe ullinjtë.

Pjata më karakteristike është ciceri e tria (pasta me qiqra të skuqur), që gatuhet gjatë gjithë vitit pavarësisht shijes së saj pak dimërore. Ushqimi më tipik për drekë është puccia, një pite që në përgjithësi mbushet me djathë, sallam të thatë dhe zarzavate. Për ëmbëlsirë (ose mëngjes!) provoni pasticciaotto-n, një ëmbëlsirë me petë e mbushur me krem karamel dhe akullore me carosello, një frut me shije disi të ngjashme me kastravecin!

Salento është i famshëm për erërat edhe pse këtu mund të bëhet shumë nxehtë ndaj është më mirë të shmangni muajt korrik dhe kusht, kur ky rajon është edhe më i populluar nga turistët. Është një nga zonat më trendi të Italisë, pasi u ‘zbulua’ nga turizmi masiv i dekadës së fundit.

Kur ta vizitoni, do të kuptoni përse!