Peter R. de Vries, një nga reporterët më të njohur të kronikës së zezë në Holandë, ka ndërruar jetë një javë pasi u qëllua në kokë me armë zjarri në qendër të Amsterdamit.
De Vries mbeti i plagosur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pavarësisht përpjekjes prej një jave të mjekëve për të mbajtur në jetë, ai është konfirmuar i vdekur këtë të enjte.
Ndërkohë, policia ka ndaluar 3 persona për këtë ngjarje, mes të cilëve mendohet se është edhe autori.
Gazetari De Vries fitoi çmimin ndërkombëtar Emmy në vitin 2008 për punën e tij në hetimin e zhdukjes së adoleshentes amerikane, Natalee Holloway, në Aruba.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, e quajti sulmin “tronditës dhe të pakuptueshëm. Ishte një sulm ndaj një gazetari të guximshëm dhe gjithashtu një sulm ndaj shtypit të lirë që është kaq thelbësorë për demokracinë tonë”.