Shkrimtari Xhahid Bushati dhe Eleni Birçaj-Mingu u shpallën fitues të fondit të letërsisë për fëmijë.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbajti të enjten në mjediset e saj ceremoninë e shpalljes së fituesve për letërsinë për fëmijë.
Kryetarja e jurisë, shkrimtarja Adelina Mamaqi dhe anëtaret Diana Çuli dhe Anisa Ymeri u shprehën se ky fond është një domosdoshmëri për mbështetjen dhe promovimin e letërsisë për fëmijë, po aq sa u vu re se letërsia për fëmijë nuk është në ditët e saj më të mira, ndaj është i rëndësishëm motivimi ndaj shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë për të shkruar, duke hartuar politika mbështetëse dhe promovuese.
Në këtë fond aplikuan 16 autorë nëpërmjet shtëpive të ndryshme botuese, dhe juria vlerësoi si veprat më të mira vëllimin me përralla “Arushi Oja” me shkrimtare Eleni Birçaj-Mingu. Vëllimi i saj me përrala u vlerësua me motivacionin “Përrallat e këtij libri janë të konceptuara dhe të shkruara brenda kërkesave të kësaj gjinie. Në to fantastikja dhe magjikja janë ndërthurur me sensin e masës dhe lexohen me ëndje”.
Ndërkohë është shpallur fitues edhe shkrimtari Xhahid Bushati, me librin “O trumcak bredharak!”, me motivacionin “Poezitë kanë konceptim të mirëfilltë poetik fëminor, shprehur me vargje të rrjedhshëm dhe figuracion të pasur. Ato ushqejnë ndjenjën e së bukurës, të së mirës dhe njerëzores në edukimin e lexuesve të vegjël”.
Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë, sipas QKKL vjen në zbatim të politikës së saj në mbështetje të krijimtarisë së autorëve shqiptarë për fëmijë, me qëllim nxitjen e shkrimit të kësaj letërsie dhe vazhdimësisë së saj.
“QKLL-ja mbështet procesin krijues të autorëve të letërsisë për fëmijë, si një letërsi e domosdoshme në rritjen dhe edukimin e brezave që vijnë. ‘Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë’, do të vijojë të jetë ndër projektet bazë dhe të përvitshme të QKLL-së”, shprehej më herët QKLL në hapje të këtij fondi.