Kulla Eiffel ka hapur sërish dyert për vizitorët, pas periudhës më të gjatë që qëndroi mbyllur, që prej Luftës së Dytë Botërore.
Pika më e famshme në kryeqytetin francez ka qëndruar e mbyllur prej nëntë muajsh, për shkak të kufizimeve të COVID-19, mirëpo nga sot do të jetë sërish e hapur për vizitorët.
Kulla e njohur ndryshe si “Dama e Hekurt” nuk do t’i kthehet aktivitetit të plotë si më përpara, pasi do të presë deri në 13,000 vizitorë në ditë (gjysma e kapacitetit të zakonshëm), në mënyrë që të mund të ruhet distanca e duhur mes tyre.
Në mënyrë që të kenë akses në Kullën Eiffel, vizitorët duhet të kenë me vete një dëshmi të vaksinimit ose të testit negativ të COVID-19, kështu njoftoi qeveria franceze.
Pritet që gjysma e vizitorëve të jenë francezë, ndërsa turistët italianë dhe spanjollë do të jenë më të shumtë se zakonisht në numër.
Nga rezervimet e biletave që janë bërë deri tani pritet të ketë një “mungesë pothuajse totale” të turistëve britanikë, ndërsa 15% e vizitorëve pritet të jenë amerikanë. Numri i turistëve që kanë rezervuar nga Azia është shumë i ulët.