Një jetë me kujtime bardhezi dhe pothuajse asnjë e venitur. I lindur më 1984, Giorgio Chiellini bëri debutimin e tij në kampionat (Serie A) më 12 shtator 2004 me fanellën e Fiorentinës, në ndeshjen e humbur nga vjollcët kundër Romës në “Olimpico” (1-0). Aventura e gjatë me Juventusin filloi vitin e ardhshëm, pas përfundimit të bashkëpronësisë me toskanët. Mbrojtës fizik (187 cm x 85 kg) dhe mjeshtër në shënimin dhe leximin e lojës së kundërshtarit, ai është një armë shtesë në topa joaktivë.
Më 17 nëntor 2004, për herë të parë në ekipin kombëtar italian si zëvendësues, në miqësoren kundër Finlandës. Tashmë ka 112 paraqitje për axurrët dhe 8 gola. Thjesht sa për të vendosur shiritin e kapitenit në krahun e tij dhe për të ngritur kupën “Henri Delaunay” në qiell (ky është emri zyrtar i trofeut kontinental, për nder të sekretarit të parë të përgjithshëm të UEFA-s dhe promovuesit të edicionit debutues të kompeticionit).
BASKETBOLLIST I MUNGUAR- Idhujt e tij sportivë janë disa legjenda, Paolo Maldini në futboll dhe Kobe Bryant në basketboll. Sepse Chiellini është gjithashtu një tifoz i madh i basketbollit. Siç tha në një intervistë të nëntorit 2014 për kanalet zyrtare të ekipit kombëtar, si fëmijë u apasionua shumë pas koshit, falë një shoku të klasës. Pastaj u regjistrua në një shkollë futbolli me vëllain e tij, duke u marrë me topin.
MBROJTËSI ME DIPLOMË– Llogaritësen në dorë dhe numrat në gjak. Mbrojtësi i Juventusit ndoqi Shkollën e Mesme Shkencore “Federigo Enriques” në Livorno, më vonë u regjistrua në Universitetin e Torinos. Duke marrë një diplomë të parë në Ekonomi dhe Tregti (me notë 109 nga 110), më 2017 u specializua në Administrim Biznesi. “Studimi më ka ndihmuar në gjithçka, në jetë dhe gjithashtu në sport, – shpjegoi ai në një intervistë për “FifPro”. – Kur isha vetëm, ose kur isha i fejuar, stërvitesha në mëngjes, shkoja në shtëpi, pushoja dhe pastaj studioja për disa orë pasdite”.
BABA I DY VAJZAVE– I lindur në Pisa, Chiellini u rrit me familjen e tij në Livorno. Ai ka një motër dhe dy vëllezër, përfshirë binjakun e tij, Claudio (menaxher sportiv dhe agjent i tij). Gruaja e tij është Carolina Bonistalli, me të cilën u martua në vitin 2014. Me të ka dy vajza, Nina dhe Olivia. Në janar 2019, kapiteni blu ishte mysafir, me Leonardo Bonucci dhe Andrea Barzagli, i Maria De Filippi në “C’è posta per te”. Më 2020 u botua “Io, Giorgio”, autobiografia në të cilën mbrojtësi tregon historinë e tij (me të ardhurat e dhuruara për organizatën jofitimprurëse “Insuperabili”, e cila promovon futbollin midis personave me aftësi të kufizuara, për të cilën është donator).
GORILLA – Pas triumfit të tij në “Wembley”, mbrojtësi postoi një video të bukur të stilit “Superquark” në Twitter, në të cilën ai krahasohet me një gorillë, një kafshë që ka karakterizuar festimet e tij ikonike me grushta në gjoks për vite me radhë. Nga “shuplaka” për Jordi Alba te tërheqja prej fanelle e Saka në finale (e cila ngjalli mjaft polemika mes tifozëve anglezë), duke kaluar nëpër përqafimet e shokëve të skuadrës dhe ritualet e besëtytnitë, kapiteni blu është bërë një lojtar kulti në Kampionatin Europian, duke fituar simpatinë e shumë lojtarëve, jo vetëm të Juventusit.